​Kusari-Lila: Kurti këtë javë fton LDK-në për takim

Nacionale

Kryetarja e “Alternativës” Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë Albin Kurti do të ftojë gjatë kësaj jave Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe partitë e tjera parlamentare, për të diskutuar konstituimin e institucioneve të reja. Kurari-Lila, partia e së cilës është në koalicion parazgjedhor me Lëvizjes Vetëvendosje, pas një panairi […]

Madhësia e shkronjave

Kryetarja e “Alternativës” Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë Albin Kurti do të ftojë gjatë kësaj jave Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe partitë e tjera parlamentare, për të diskutuar konstituimin e institucioneve të reja.

Kurari-Lila, partia e së cilës është në koalicion parazgjedhor me Lëvizjes Vetëvendosje, pas një panairi të gruas të mbajtur sot në Prishtinë, i tha mediave se ftesa pritet të bëhet brenda ditëve, madje edhe orëve në vijim, me qëllim që të arrihet një dakordim politik për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kusari-Lilës, zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë deputetëve dhe dështimi në këtë proces do ta çonte vendin sërish në zgjedhje të reja brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Para seancës konstituive, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, e koalicionit tonë të përbashkët, do të ketë ftesë brenda pak ditëve ndoshta edhe orëve, edhe për Lidhjen Demokratike, edhe për partitë e tjera, në kuptimin që konstituimi i institucioneve, në veçanti edhe zgjedhja e presidentit është një obligim i përbashkët i të gjithë deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës. Siç e dimë, përkundrazi, çfarëdo marrëveshje ose mundësie për t’u zgjedhë kryesia e kuvendit, për t’u konstituu kuvendi, për t’u zgjedhë qeveria, prapë mospasja sukses i zgjedhjes së presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje në një periudhë të shkurtër kohore, jo më pak se dy muaj. Prandaj për të parandaluar dhe evituar edhe një shkuarje në zgjedhje, për të cilën duket se askush nuk e ka as vullnetin e as nuk e shohim se ka ndonjë arsye logjike për të shkuar në zgjedhje, shpresojmë që të gjithë të jenë të gatshëm që të diskutojnë me seriozitetin më të lartë të mundur, në detyrat që ne na takojnë si përfaqësues të zgjedhur të popullit, që institucionet të konstituohen brenda një periudhe të shkurtër kohore”, tha ajo.

Sipas saj, pas seancës konstituive të kuvendit dhe eventualisht zgjedhjes së qeverisë, të bëhet fillimisht dakordimi dhe votimin për president të vendit.

Derisa shtoi se është e qartë se çfarë mund t’u ofrohet partive tjera.

“Është e qartë çka është e mundur të ofrohet. Është e mundur të ofrohet diskutim e koalicion për qeverisje, ndërsa sa i përket çështjes së presidentit është dakordim i përbashkët i subjekteve. Qoftë me vetëm procesin e dakordimit, qëndrimit në sallë, votimit sipas vullnetit të tyre, apo edhe një marrëveshje më të gjerë. Është paksa problematike në rast se fillohen të ketë kushte të natyrës të cilat nuk përkojnë me vullnetin e qytetarëve të Republikës. Qytetarët kanë folur, rezultati dihet, konform atij rezultati edhe mund të pritet dakordimi politik në mes të subjekteve”, tha ajo.

Ajo shtoi se së shpejti do të ketë takim tjetër me LDK-në dhe prej aty mund të dalin edhe konkretisht dakordimet që janë bërë në mes të subjekteve. /KP/