Kryeministri polak Tusk i kundërvihet dhunës antiukrainase

Bota

Në Poloni po forcohen ndjenjat antiukrainase. Sulmet ndaj refugjatëve të luftës nga Ukraina po shtohen. Kryeministri Donald Tusk i del përpara dhunës dhe paralajmëron për rrezikun rus. Kryeministri i Polonisë , Donald Tusk, këtë herë foli troç. „Kësaj dhune duhet t’i shpallim luftë, sepse banditët, huliganët dhe ekstremistët e dhunshëm po bëhen gjithnjë e më […]

Madhësia e shkronjave

Në Poloni po forcohen ndjenjat antiukrainase. Sulmet ndaj refugjatëve të luftës nga Ukraina po shtohen. Kryeministri Donald Tusk i del përpara dhunës dhe paralajmëron për rrezikun rus.

Kryeministri i Polonisë , Donald Tusk, këtë herë foli troç. „Kësaj dhune duhet t’i shpallim luftë, sepse banditët, huliganët dhe ekstremistët e dhunshëm po bëhen gjithnjë e më të fortë e më të pafytyrë, meqë marrin edhe mbrojtje politike.” Këto fjalë Tusku i tha të martën (28.07.2026), para mbledhjes së qeverisë në Varshavë. Politikani liberalkonservator u ankua se „kudo në Poloni po shtohen incidente të tilla”.

Reagimi i tij lidhej me ngjarjen e së dielës së kaluar në Vrocllav (Wrocław). Atje tre polakë rrahën në mënyrë brutale në rrugë një të ri ukrainas dhe të dashurën e tij. Videot e filmuara me celular tregojnë sulmuesit që i binin me shkelma ukrainasit, që ndodhej tashmë në tokë. Ata goditën edhe gruan, duke e plagosur në qafë e në vesh.

Gjithçka nisi me një grindje në një dyqan. Autorët i kishte acaruar theksi ukrainas i të rinjve. Policia veproi shpejt. Dy nga sulmuesit, të dënuar edhe më parë, ndodhen tashmë në paraburgim. Të tretin policia po e kërkon ende.

Tusku paralajmëroi bashkatdhetarët se ngjarje të tilla dëmtojnë imazhin e Polonisë. Polonia fitoi një emër të mirë me gatishmërinë e saj për të ndihmuar. Kjo ndodhi pas nisjes së luftës së plotë ruse kundër Ukrainës. Këtë emër, sipas kryeministrit, polakët mund ta „varrosin” vetë, „nëse lejojmë që banditë, ekstremistë dhe kriminelë të zakonshëm të rrahin e të poshtërojnë njerëz pa u ndëshkuar, vetëm sepse flasin me një theks tjetër”.

Pas sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022, Polonia i doli asaj menjëherë në ndihmë. Ajo dërgoi ndihmë ushtarake e humanitare dhe priti mbi një milion refugjatë lufte. Sot në Poloni jetojnë rreth 1,5 milion ukrainas. Shumica punojnë, paguajnë taksa dhe japin një kontribut të ndjeshëm në ekonominë polake.

Por katër vjet e gjysmë pas nisjes së luftës, klima në Poloni ka ndryshuar. Në vende publike përsëriten sulmet verbale dhe fizike ndaj ukrainasve. Të mërkurën e kaluar (29.07.2026) një kryepunëtor polak fyeu punëtorë ukrainas. Kjo ndodhi në një kantier në Skavina, afër Krakovit, dhe përfundoi me dhunë fizike. Në një tren pranë Varshavës, dy burra të dehur ngacmuan një të ri ukrainas.

Më 11 korrik, në një autobus në Bjelsko-Bjalla, një burrë shau e kërcënoi dy vajza ukrainase, që po bënin një selfie. Pre e klimës së urrejtjes kanë rënë edhe fëmijë në shesh lojërash dhe nxënës. Në gjashtë muajt e parë të vitit policia regjistroi 180 krime urrejtjeje ndaj ukrainasve. Kjo shifër është një e treta më e lartë se në vitin 2025. Të premten (31.07.2026) gazeta polake Gazeta Wyborcza paralajmëroi se interneti është mbushur me fake news (lajme të rreme). Ato flasin për krime të supozuara të ukrainasve ndaj polakëve.

Parullat antiukrainase u shfaqën qysh vitin e kaluar, gjatë fushatës presidenciale. Kthesën e vërtetë e solli në maj presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski. Ai i dha emrin e nderit „Heronjtë e UPA-s” një njësie speciale të ushtrisë. Vendimi ngjalli një valë indinjate në Poloni.

Polonia e konsideron Ushtrinë Kryengritëse Ukrainase (UPA) përgjegjëse për vrasjen në masë të civilëve polakë. Masakrat ndodhën në Volini, midis viteve 1943 dhe 1945. Ukrainasit, përkundrazi, i nderojnë luftëtarët e UPA-s si heronj kundër sovjetizimit të vendit. Disa njësi të UPA-s luftuan kundër pushtetit sovjetik deri në vitet 1950.

Tusku e mbështet kritikën ndaj Zelenskit për çështjen e UPA-s. Megjithatë, reagimet e të dyja palëve ai i quan të tepruara dhe të dëmshme. Presidenti polak, Karol Navrocki, i hoqi Zelenskit dekoratën më të lartë polake. Ky i fundit ia ktheu Varshavës me postë të shpejtë

Gjestet demonstrative të dy krerëve të shtetit vunë në lëvizje një ortek. Urrejtja kundër Ukrainës ka përmbytur internetin polak. Pshemislav Çarnek drejton listën e partisë opozitare PiS („Ligj dhe Drejtësi”. Ai kërkoi ndalimin e çdo ndihme ushtarake për Ukrainën deri sa Kievi të tërhiqet në përplasjen për historinë.

Sondazhet e fundit flasin qartë. Instituti polak i sondazheve CBOS jep një pamje të qartë se 54 për qind e të pyeturve kundërshtojnë pritjen e refugjatëve të rinj ukrainas. Kjo ndodh për herë të parë që nga fillimi i luftës. Vetëm 42 për qind mbështesin vazhdimin e politikës së deritanishme. Në vitin 2022, 94 për qind e polakëve donin t’u jepnin strehë refugjatëve.

Një sondazh i institutit Opinia24 për javoren Polityka jep shifra të ngjashme. 44 për qind u shprehën kundër ndihmës së mëtejshme për Ukrainën. Në favor ishin 41 për qind. Anëtarësimin e Ukrainës në BE e kundërshtojnë 54 për qind e të pyeturve. Vetëm 33 për qind duan ta mbështesin Kievin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ukrainasit e sulmuar në Vrocllav iu drejtuan bashkatdhetarëve përmes kanalit NEXTA Polska. Ata i nxitën të tregohen të kujdesshëm në Poloni dhe të shmangin çdo konflikt. Në publik, sipas tyre, është më mirë „të flasësh më pak ukrainisht”.

Tusku kërkon të zbusë përplasjen me Ukrainën

Qeveria e qendrës së majtë e Tuskut u kundërvihet me forcë këtyre shpërthimeve antiukrainase. Edhe policia e drejtësia veprojnë shpejt dhe me vendosmëri. Pas Vrocllavit, Tusk i kërkoi presidentit Navrocki të „thyejë më në fund heshtjen”. Kreu i shtetit duhet të marrë qëndrim kundër dhunës. Deri tani ai nuk ka folur. Gjatë fushatës, ish-boksieri Navrocki pranoi se kishte marrë pjesë në përleshje mes tifozëve rivalë të futbollit. Këto duele ai i quajti „një mënyrë burrërore, madje fisnike, të luftimit”.

Edhe pse i bashkohet kritikës së opozitës për UPA-n, Tusk përpiqet t’i qetësojë ujërat. Të mërkurën (29.07.2026) ai priti Zelenskin për një bisedë kokë më kokë. Ishte takimi i parë pas krizës së UPA-s. „Diskutuam çështje të sigurisë së qytetarëve tanë. Është e rëndësishme që ukrainasit, të cilët lanë shtëpitë për shkak të luftës dhe gjetën mbrojtje në Poloni, të ndihen të sigurt”, shkroi Zelenski në rrjetet sociale. Ai falënderoi edhe Tuskun.

Tusk: Ukrainën ta mbështesim edhe më tej

Bashkëpunimi polako-ukrainas mbetet jetik për të dyja vendet. Këtë e tregoi sërish nata e së enjtes (30.07.2026) në lindje të Polonisë. Gjatë një sulmi masiv rus ndaj Ukrainës, një raketë hyri në hapësirën ajrore polake. Ajo ra rreth 90 kilometra brenda kufirit, afër një vendbanimi. Shpërthimi hapi në një arë një krater dhjetë metra të gjerë.

„E di se sot nuk është shumë popullore të flasësh mirë për Ukrainën. Por di edhe diçka që peshon më shumë: siguria e Polonisë varet drejtpërdrejt nga fuqia luftarake e ukrainasve, edhe në ajër”, tha Tusku pas vizitës në vendin e rënies. „E di ku ndodhet armiku”, shtoi ai. Pavarësisht protestave të opozitës, ai mbetet i gatshëm t’i japë Ukrainës armë./DW/.