Interi ka vendosur një çmim të qartë për Alessandro Bastonin, duke e bërë të vështirë çdo përpjekje të mundshme të Barcelonës për ta transferuar mbrojtësin italian këtë verë.
Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, klubi zikaltër nuk është i gatshëm të negociojë nën shifrën prej 70 milionë eurosh për kartonin e qendërmbrojtësit, i cili është një nga shtyllat kryesore të skuadrës.
Interi do të lejonte largimin e tij vetëm në rast se lojtari paraqet kërkesë zyrtare për transferim, por deri më tani Bastoni nuk ka shprehur dëshirë të tillë, pavarësisht interesimit nga Barcelona.
Nga ana tjetër, situata financiare e Barcelonës mund ta komplikojë edhe më shumë një marrëveshje të tillë, duke e bërë transferimin një objektiv të vështirë për këtë afat kalimtar.
Klubi katalanas është në kërkim të një qendërmbrojtësi të nivelit të lartë për të forcuar repartin defensivë, dhe Bastoni është në krye të listës së dëshirave. Megjithatë, si alternativa janë përmendur edhe Jon Martin i Real Sociedad dhe Cristian Romero i Tottenham Hotspur.
E ardhmja e Bastonit mbetet e hapur, por për momentin Interi duket i vendosur ta mbajë nën kontroll situatën dhe të mos lejojë largimin e tij pa një ofertë të madhe financiare. /Telegrafi/






