Sandro Mazzola, një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e Interit dhe të Kombëtares së Italisë, ka vdekur në moshën 83-vjeçare.
Ai ia kushtoi të gjithë karrierën e tij 17-vjeçare si futbollist profesionist vetëm një klubi – Interit, për të cilin bëri 565 paraqitje dhe shënoi 158 gola.
Që nga fëmijëria, jeta dhe karriera e tij u shënuan nga histori të mëdha futbolli dhe tragjedi personale. Ai ishte vetëm gjashtë vjeç kur babai i tij, Valentino Mazzola, kapiten i Torinos në atë kohë dhe pjesë e Kombëtares së Italisë, humbi jetën në aksidentin ajror të Supergës në vitin 1949.
Mazzola debutoi për ekipin e parë të Interit në moshën 18-vjeçare kundër Juventusit, në të njëjtën ditë kur kishte kaluar provimet e shkollës. Ai shënoi edhe golin e vetëm të Interit në atë ndeshje.
Shpejt u shndërrua në një nga lojtarët kryesorë të klubit nga Milano, me të cilin fitoi katër tituj të kampionit të Italisë dhe dy Kupa të Kampionëve Evropianë. Finalja e vitit 1964 mbetet veçanërisht e paharrueshme, pasi Mazzola shënoi dy gola në fitoren 3-1 ndaj Real Madridit. Një vit më vonë, Interi mbrojti titullin e kampionit të Evropës.
Ai pati sukses të madh edhe me Kombëtaren e Italisë, me të cilën fitoi Kampionatin Evropian në vitin 1968, pas fitores ndaj Jugosllavisë në finale, ndërsa katër vite më vonë luajti në finalen e Kupës së Botës në Meksikë.
Pasi i dha fund karrierës si futbollist në vitin 1977, Mazzola vazhdoi të ishte i angazhuar në futboll, duke punuar si drejtor sportiv te Interi dhe Torino.
Me rastin e vdekjes së tij, Interi i dha lamtumirën legjendës së klubit me një mesazh emocional, duke theksuar se Mazzola nuk ishte thjesht pjesë e historisë së Interit, por vetë një pjesë e saj.
Klubi theksoi gjithashtu se ai gjithmonë dëshironte të mbahej mend si një njeri i mirë, që luftonte edhe atëherë kur fitorja dukej e pamundur./Telegrafi/






