Insulti cerebral nuk troket në derë: Shenjat që nuk duhet t’i anashkaloni as për një minutë

shendetesi

Si ta njohim insultin cerebral, pse çdo minutë ka rëndësi dhe çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi Ekspert i shëndetësisë Një njeri zgjohet në mëngjes, pi kafenë, bisedon me familjen dhe përgatitet për një ditë krejtësisht normale. Pak minuta më vonë, filxhani i bie nga dora. Krahu nuk i […]

Madhësia e shkronjave

Si ta njohim insultin cerebral, pse çdo minutë ka rëndësi dhe çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar

Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi Ekspert i shëndetësisë

Një njeri zgjohet në mëngjes, pi kafenë, bisedon me familjen dhe përgatitet për një ditë krejtësisht normale. Pak minuta më vonë, filxhani i bie nga dora. Krahu nuk i bindet më. Njëra anë e fytyrës varet. Përpiqet të flasë, por fjalët nuk dalin si më parë.

“Do t’i kalojë.” “Është lodhur.” “Ndoshta i ka rënë sheqeri.”

Pikërisht këtu mund të humbasin minutat më të çmuara të jetës së tij.

Sepse mund të jetë insult cerebral, apo goditje në tru.

Dhe te insulti cerebral ekziston një rregull që çdo qytetar duhet ta njohë: Koha është tru.

Sa më gjatë që një pjesë e trurit mbetet pa furnizim të mjaftueshëm me gjak dhe oksigjen, aq më shumë ind nervor rrezikohet të dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme.

Çdo familje duhet t’i njohë disa shenja të thjeshta.

▪ fytyra bëhet asimetrike; ▪ njëri krah ose njëra këmbë dobësohet apo mpihet; ▪ të folurit bëhet i paqartë ose personi nuk i kupton fjalët; ▪ shikimi çrregullohet; ▪ shfaqet marramendje e fortë, humbje e ekuilibrit ose koordinimit; ▪ shfaqet një dhimbje koke shumë e fortë dhe e pazakontë, veçanërisht kur fillon papritur.

Në këto raste nuk duhet pritur të shohim nëse simptomat kalojnë. Duhet kërkuar menjëherë ndihmë urgjente mjekësore. Edhe nëse simptomat zhduken pas disa minutash, pacienti duhet të vlerësohet urgjentisht.

Mos humbni kohë kur dyshohet për insult

Një gabim tjetër është humbja e kohës duke telefonuar të afërmit, duke pritur që të vijë dikush ose duke u nisur pa koordinim drejt një institucioni shëndetësor. Në dyshimin për insult, sistemi i urgjencës duhet të aktivizohet menjëherë.

Në spital duhet të përcaktohet shpejt nëse kemi bllokim të një arterie apo gjakderdhje, sepse trajtimet janë krejtësisht të ndryshme. Në disa raste të insultit ishemik ekzistojnë terapi për shpërbërjen e trombit, ndërsa në raste të përzgjedhura me bllokim të enëve të mëdha mund të bëhet heqja endovaskulare e trombit, trombektomia mekanike. Por jo çdo pacient është kandidat për të njëjtën terapi.

Koha e fillimit të simptomave, imazheria e trurit, ena e prekur, gjendja klinike dhe faktorë të tjerë përcaktojnë trajtimin. Prandaj është shumë e rëndësishme të dihet:

Kur është parë pacienti për herë të fundit pa simptoma?

Kjo pyetje mund të jetë vendimtare për mjekët.

Forma më e shpeshtë është insulti ishemik. Një arterie që furnizon trurin bllokohet, zakonisht nga një tromb ose emboli, dhe një pjesë e trurit mbetet pa furnizimin normal me gjak.

Forma tjetër është insulti hemorragjik, ku një enë gjaku çahet dhe ndodh gjakderdhje në tru. Në të dyja rastet kemi një urgjencë absolute mjekësore.

TIA – paralajmërimi që shpesh neglizhohet

Ekziston edhe një paralajmërim që shpesh neglizhohet: TIA, ataku ishemik kalimtar. Simptomat mund të zhduken pas një kohe të shkurtër dhe pacienti mendon se gjithçka përfundoi mirë.

Një episod i tillë mund të jetë paralajmërim serioz për një insult të ardhshëm dhe kërkon vlerësim urgjent mjekësor.

Armiku i heshtur: tensioni i lartë i gjakut

Një nga faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për insultin është hipertensioni arterial. Problemi është se tensioni i lartë shpesh nuk dhemb.

Njeriu mund të ecë, të punojë, të ngasë makinën, të udhëtojë dhe të ndihet krejtësisht mirë, ndërkohë që për vite me radhë presioni i lartë dëmton arteriet, zemrën, trurin, veshkat dhe sytë. Prandaj hipertensioni quhet shpesh një rrezik i heshtur.

Shumë njerëz thonë: “Unë e ndiej kur më rritet tensioni.”

Kjo nuk është një metodë e sigurt. Tensioni arterial duhet matur, jo hamendësuar sipas mënyrës se si ndihemi.

Rreziku rritet me moshën, por insulti nuk është vetëm sëmundje e pleqërisë. Hipertensioni, diabeti, pirja e duhanit, kolesteroli i lartë, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, fibrilacioni atrial dhe sëmundjet e arterieve janë ndër faktorët kryesorë që duhet të merren seriozisht.

Edhe historia familjare ka rëndësi. Njeriu nuk mund ta ndryshojë moshën apo trashëgiminë gjenetike, por mund të ndikojë mbi shumë faktorë të tjerë të rrezikut.

Arteriet karotide: rruga e gjakut drejt trurit

Në qafën tonë kalojnë arteriet karotide, të cilat janë ndër rrugët kryesore që furnizojnë trurin me gjak. Me kalimin e viteve, në muret e tyre mund të zhvillohen pllaka aterosklerotike.

Nëse ngushtimi bëhet i rëndësishëm ose nga pllaka shkëputet material që udhëton drejt trurit, mund të ndodhë TIA ose insult cerebral.

Kjo është arsyeja pse, te pacientët e përzgjedhur sipas simptomave dhe profilit të rrezikut, diagnostika vaskulare dhe ekzaminimi me ultratingull Duplex mund të kenë rëndësi të madhe. Por duhet theksuar: jo çdo person i shëndetshëm ka nevojë automatikisht për ekzaminim të arterieve karotide. Indikacioni duhet të përcaktohet individualisht nga mjeku.

Në shumë raste, historia e insultit ka filluar vite më parë.

Ka filluar me tensionin që nuk është matur. Me tabletën e tensionit që është ndërprerë sepse “tani tensioni është mirë”. Me cigaret. Me diabetin e pakontrolluar. Me kolesterolin e lartë. Me mungesën e aktivitetit fizik. Me fibrilacionin atrial që nuk është diagnostikuar ose trajtuar siç duhet.

Dhe ndonjëherë me simptomën e vogël neurologjike që është injoruar.

Prandaj lufta kundër insultit nuk zhvillohet vetëm në neurologji dhe në urgjencë. Ajo fillon shumë më herët, në shtëpi dhe te mjeku i familjes.

▪ Mateni tensionin arterial edhe kur ndiheni mirë. ▪ Kontrolloni sheqerin dhe yndyrat në gjak sipas rekomandimit mjekësor. ▪ Mos pini duhan. ▪ Lëvizni rregullisht. ▪ Mbani peshën trupore në kufij të shëndetshëm. ▪ Mos e ndërprisni terapinë e tensionit, diabetit, kolesterolit apo terapinë antikoaguluese pa u konsultuar me mjekun. ▪ Dhe mbi të gjitha, njihni simptomat e insultit.

Sepse në atë moment nuk ka rëndësi vetëm se sa i mirë është spitali apo sa modern është aparati. Ka rëndësi edhe sa shpejt pacienti arrin deri te trajtimi i duhur.

Insulti cerebral mund të prekë një profesor dhe një punëtor, një burrë dhe një grua, një njeri të pasur dhe një njeri të varfër. Truri nuk pyet për pozitën tonë shoqërore.

Por shumë prej faktorëve të rrezikut mund të zbulohen dhe trajtohen para se të ndodhë katastrofa. Prandaj mesazhi im është i thjeshtë:

▪ Mos prisni që tensioni i lartë të dhembë. ▪ Mos prisni që simptomat neurologjike të kalojnë vetë. ▪ Mos humbni kohë kur fytyra shtrembërohet, krahu dobësohet ose të folurit ndryshon.

Në insultin cerebral, çdo minutë ka rëndësi.

Parandalimi fillon sot. Ndërsa kur shfaqen simptomat, veprimi duhet të fillojë menjëherë. /Telegrafi/