Nga CT-ja dhe MRI-ja te funksioni i veshkave, alergjitë, gadoliniumi dhe situatat e veçanta klinike, çfarë duhet ditur para një ekzaminimi me kontrast
Dr. med. Erzen Bujupi Specialist i radiologjisë diagnostike dhe intervente
Kontrasti në radiologji është një nga ato tema që shpesh ngjall më shumë frikë sesa kuptim. Shumë pacientë, sapo dëgjojnë se ekzaminimi duhet të bëhet me kontrast, pyesin nëse mund t’u dëmtojë veshkat, nëse rrezikojnë reaksion alergjik, nëse duhet të jenë esëll apo nëse analiza të caktuara janë të domosdoshme para procedurës.
Në të vërtetë, kontrasti ka një rol të rëndësishëm diagnostik, sepse mund të bëjë të dukshme ndryshime që pa të do të ishin shumë më të vështira për t’u dalluar. Megjithatë, përdorimi i tij kërkon vlerësim të kujdesshëm, njohje të historisë klinike dhe përshtatje sipas gjendjes së secilit pacient.
Si bëhet përgatitja para ekzaminimit, cilat analiza mund të kërkohen, si përdoret kontrasti te pacientët me sëmundje kronike dhe çfarë kujdesi kërkohet te fëmijët, shtatzënat dhe gratë që ushqejnë me gji?
Kontrasti përdoret vetëm kur sjell vlerë diagnostike
Kontrasti është një substancë që përdoret gjatë disa ekzaminimeve radiologjike për t’i bërë strukturat dhe ndryshimet patologjike më të dukshme në imazhe. Me fjalë të thjeshta, ai na ndihmon të shohim më qartë atë që ekzaminimi pa kontrast mund të mos e tregojë mjaftueshëm.
Kontrasti nuk është i nevojshëm në çdo ekzaminim. Vendimi varet nga pyetja klinike së cilës duam t’i përgjigjemi. Për shembull, në disa raste një CT ose MRI pa kontrast është plotësisht e mjaftueshme, ndërsa në raste të tjera kontrasti është shumë i rëndësishëm për të dalluar një tumor, një proces inflamator, një infeksion, një problem vaskular apo për të vlerësuar organet dhe enët e gjakut.
Prandaj, kontrasti nuk duhet parë si një “shtesë” që bëhet automatikisht, por si një mjet diagnostik që përdoret kur pritet të japë informacion shtesë me vlerë për diagnozën dhe trajtimin.
Kontrasti në CT dhe MRI nuk është i njëjtë: Jodi dhe gadoliniumi kanë role të ndryshme
Kontrasti që përdoret në CT dhe ai që përdoret në MRI janë substanca të ndryshme dhe kanë mekanizma të ndryshëm veprimi. Në CT, zakonisht përdoren kontraste me bazë jodi. Ato rrisin dukshmërinë e enëve të gjakut dhe të organeve dhe ndihmojnë në identifikimin dhe karakterizimin e shumë sëmundjeve.
Për shembull, kontrasti mund të jetë thelbësor në CT të toraksit/kraharorit për vlerësimin e arterieve pulmonare, në CT të abdomenit për karakterizimin e lezioneve të mëlçisë ose pankreasit, apo në vlerësimin e tumoreve dhe proceseve inflamatore.
Në MRI, përdoren kryesisht kontrastet me bazë gadoliniumi. Ato ndikojnë në sinjalin e rezonancës magnetike dhe mund të tregojnë më mirë aktivitetin e një lezioni, vaskularizimin, inflamacionin ose karakteristikat e indeve të ndryshme.
Pra, qëllimi është i ngjashëm: të marrim informacion më të mirë diagnostik, por substancat dhe mënyra e veprimit janë të ndryshme.
Në përgjithësi, kontrastet moderne konsiderohen shumë të sigurta kur përdoren në mënyrë të përshtatshme dhe pas vlerësimit të pacientit. Ekzistojnë punime të shumta shkencore që e mbështesin sigurinë e përdorimit të kontrastit, por, në raste të rralla, ai mund të shkaktojë probleme, nga ato më të lehta deri te rastet më serioze, të cilat, fatmirësisht, janë shumë më të rralla.
Shumica dërrmuese e pacientëve nuk kanë ndonjë problem serioz. Mund të shfaqen reaksione të lehta dhe kalimtare, si ndjesia e nxehtësisë, shija metalike në gojë, të përzierat ose një ndjesi e shkurtër sikur pacienti po urinon. Këto nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht alergji.
Në një përqindje shumë më të vogël mund të shfaqen reaksione të ngjashme me alergjinë, si kruajtje, skuqje ose urtikarie. Reaksionet e rënda janë të rralla, por çdo qendër që administron kontrast duhet të jetë e përgatitur për t’i njohur dhe trajtuar ato menjëherë.
Një tjetër komplikim i mundshëm është dalja e një pjese të kontrastit jashtë venës gjatë injektimit. Kjo quhet ekstravazim dhe, në shumicën e rasteve, menaxhohet pa pasoja serioze, megjithëse kërkon vlerësim dhe ndjekje sipas rastit.
“Alergjia ndaj jodit” nuk është term i saktë: Rëndësi ka reagimi ndaj kontrastit
Historia e reaksioneve të mëparshme ndaj kontrastit është shumë e rëndësishme. Duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm: “alergjia ndaj jodit” nuk është një term i saktë për të përshkruar reaksionin ndaj kontrastit. Jodi është një element që gjendet natyrshëm në organizëm dhe nuk është vetë një alergjen në këtë kuptim. Reaksioni ndodh nga struktura kimike e të gjithë molekulës së substancës së kontrastit.
Kontraste të ndryshme kanë strukturë kimike të ndryshme dhe, për këtë arsye, për radiologun ka rëndësi nëse pacienti ka pasur më parë një reaksion ndaj një kontrasti, çfarë lloj reaksioni ka qenë dhe sa i rëndë ka qenë.
Jo domosdoshmërisht pacienti do të reagojë ndaj të gjitha kontrasteve me përmbajtje jodi, por, sigurisht, në këto raste duhet të tregohet kujdes i shtuar.
Për shembull, nëse një pacient ka pasur më parë vetëm ndjesi nxehtësie ose të përziera, kjo nuk është e njëjtë me një reaksion të rëndë alergjik me vështirësi në frymëmarrje ose rënie të presionit të gjakut.
Prandaj, pacienti duhet të tregojë gjithmonë nëse ka pasur më parë reaksion pas kontrastit dhe, nëse është e mundur, të tregojë se cili kontrast është përdorur dhe çfarë simptomash ka pasur.
Kreatinina dhe eGFR-ja tregojnë funksionin e veshkave para kontrastit
Kreatinina dhe eGFR-ja na japin informacion për funksionin e veshkave. Kjo është e rëndësishme sepse kontrastet që përdoren në CT eliminohen kryesisht përmes veshkave.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo pacient që bën CT me kontrast duhet patjetër të bëjë analiza të veshkave pak para ekzaminimit.
Vlerësimi i funksionit renal është veçanërisht i rëndësishëm te pacientët që kanë sëmundje të njohur të veshkave, histori të dëmtimit akut të veshkave, diabet, insuficiencë kardiake ose sëmundje të tjera të rënda kronike, si dhe te pacientët që mund të jenë të dehidruar ose kanë faktorë të tjerë rreziku.
Në praktikën moderne, eGFR-ja është një nga parametrat kryesorë për vlerësimin e funksionit renal, ndërsa urea mund të japë informacion plotësues, por nuk është e barasvlershme me eGFR-në për këtë qëllim.
Përveç kreatininës dhe eGFR-së, te pacientët me sëmundje të njohur të tiroides mund të jetë e rëndësishme të merret në konsideratë edhe vlera bazale e TSH-së. Kjo ndihmon në vlerësimin e funksionit të tiroides dhe duhet të merret parasysh para administrimit të kontrasteve me përmbajtje jodi, veçanërisht te pacientët me hipertiroidizëm të njohur ose të dyshuar, pasi ngarkesa me jod mund të ndikojë në funksionin e tiroides dhe, në raste të veçanta, të nxisë përkeqësim të hipertiroidizmit.
Rreziku për veshkat varet nga gjendja e pacientit, jo vetëm nga kontrasti
Kjo është një nga frikat më të zakonshme të pacientëve dhe këtu ka pasur shumë ndryshime kohët e fundit në mënyrën se si e kuptojmë rrezikun.
Kontrastet moderne me bazë jodi nuk duhet të konsiderohen automatikisht si shkak i dëmtimit të veshkave. Rreziku varet shumë nga gjendja e pacientit dhe sidomos nga funksioni renal para ekzaminimit.
Te shumica e pacientëve me funksion normal ose vetëm lehtësisht të reduktuar të veshkave, rreziku është i ulët. Kujdesi bëhet më i madh kur pacienti ka dëmtim akut të veshkave ose funksion renal shumë të reduktuar, veçanërisht kur eGFR-ja është nën 30 ml/min/1.73 m².
Në këto raste nuk do të thotë automatikisht se kontrasti është i ndaluar. Mjeku duhet të peshojë përfitimin diagnostik kundrejt rrezikut, të vlerësojë hidratimin dhe gjendjen e përgjithshme të pacientit dhe, kur është e nevojshme, të marrë masa parandaluese.
Në disa situata, ekzaminimi mund të realizohet edhe me kontrast nëse informacioni që pritet të merret është i rëndësishëm për diagnostikimin ose trajtimin e pacientit, për shembull në rastet me infarkte cerebrale, aneurizma, gjakderdhje etj.
Gadoliniumi në MRI është i sigurt, por kërkon kujdes te veshkat
Gadoliniumi është substanca kryesore e përdorur në kontrastet e MRI-së. Ai nuk është i njëjtë me kontrastin e përdorur në CT. Kontrastet moderne me bazë gadoliniumi janë përgjithësisht shumë të sigurta.
Megjithatë, te pacientët me dëmtim shumë të rëndë të funksionit të veshkave kërkohet vlerësim i veçantë, sepse eliminimi i gadoliniumit bëhet kryesisht përmes veshkave.
Me kontrastet moderne, komplikimet e rënda janë shumë të rralla. Një nga komplikimet historikisht të njohura është fibroza sistemike nefrogjenike, e cila sot është jashtëzakonisht e rrallë dhe lidhet kryesisht me pacientë me dëmtim të rëndë të funksionit renal dhe me lloje të caktuara të kontrasteve.
Ekziston gjithashtu diskutimi shkencor për mbajtjen e sasive shumë të vogla të gadoliniumit në organizëm pas ekzaminimeve të përsëritura. Deri tani, kjo nuk është treguar të ketë pasoja klinike të dëmshme te pacientët me funksion normal të veshkave, por përdorimi i kontrastit duhet gjithmonë të jetë i vlerësuar dhe i peshuar nga nevoja diagnostike.
Të jesh esëll nuk është gjithmonë e nevojshme; hidratimi varet nga pacienti
Në shumë ekzaminime moderne me kontrast, nuk është e nevojshme që pacienti të jetë esëll. Por në disa ekzaminime të caktuara, kur nevojitet sedacion ose ndonjë procedurë tjetër, pacienti duhet të jetë esëll.
Për pacientët që kanë rrezik për dëmtim të funksionit renal, me rëndësi është hidratimi i përshtatshëm. Por, sigurisht, ky plan i hidratimit duhet të bëhet në mënyrë individuale, sepse një pacient me insuficiencë të rëndë të zemrës, për shembull, nuk mund të trajtohet njësoj si një pacient i shëndetshëm.
Diabeti, metformina dhe sëmundjet e tiroides kërkojnë kujdes të veçantë
Këto janë grupe që kërkojnë vlerësim individual.
Te pacientët me diabet, rëndësi të veçantë ka funksioni i veshkave, sepse diabeti është një nga shkaqet kryesore të sëmundjes kronike të veshkave.
Për metforminën, rekomandimet moderne janë shumë më pak kufizuese sesa në të kaluarën. Te pacientët me eGFR mbi 30 ml/min/1.73 m² dhe pa dëmtim akut të veshkave, sipas udhëzimeve evropiane, metformina mund të vazhdohet edhe kur përdoret kontrast intravenoz me bazë jodi.
Në rast të dëmtimit akut të veshkave ose eGFR-së nën 30, kërkohet qasje tjetër dhe rivlerësim i funksionit renal.
Te pacientët me sëmundje të tiroides, duhet të dihet sidomos nëse ekziston hipertiroidizëm aktiv ose sëmundje të caktuara të tiroides. Kontrasti me jod mund të ndikojë në metabolizmin e tiroides në rrethana specifike, ndaj historia e sëmundjes së tiroides duhet t’i komunikohet radiologut.
Shtatzënia dhe gjidhënia kërkojnë vlerësim të veçantë para kontrastit
Gjatë shtatzënisë, çdo ekzaminim radiologjik duhet të jetë i justifikuar dhe të zgjidhet metoda që ofron informacionin e nevojshëm me rrezikun më të ulët të mundshëm.
Për gadoliniumin në MRI, përdorimi rutinë gjatë shtatzënisë zakonisht shmanget dhe merret në konsideratë vetëm kur përfitimi diagnostik pritet të jetë më i madh se rreziku i panjohur për fetusin.
Te gratë që ushqejnë me gji, zakonisht nuk është e nevojshme ndërprerja e gjidhënies pas administrimit të kontrastit intravenoz me bazë jodi ose gadoliniumi. Kjo është një tjetër fushë ku frika e pacientëve shpesh është më e madhe sesa rreziku real.
Te fëmijët, doza përshtatet sipas peshës, moshës dhe nevojës diagnostike
Te fëmijët, parimi kryesor është që gjithçka të përshtatet sipas moshës, peshës dhe nevojës konkrete diagnostike. Doza e kontrastit nuk përcaktohet thjesht si te një i rritur, por llogaritet sipas parametrave të fëmijës dhe protokollit të ekzaminimit.
Gjithashtu, përpiqemi të përdorim protokollet me dozën më të ulët të nevojshme për të marrë imazhe diagnostike të cilësisë së duhur.
Një pjesë shumë e rëndësishme është edhe përgatitja psikologjike. Fëmija duhet të dijë, në një gjuhë që e kupton, çfarë do të ndodhë. Te MRI-ja, zhurma dhe qëndrimi pa lëvizur mund të jenë sfiduese. Në raste të caktuara mund të nevojiten metoda të veçanta për qetësim ose sedacion, gjithmonë sipas protokolleve pediatrike.
Radiologu vendos për kontrastin sipas pyetjes klinike dhe historisë së pacientit
Radiologu, në bashkëpunim me mjekun referues, përcakton nëse kontrasti është i nevojshëm për t’iu përgjigjur pyetjes klinike.
Historia e pacientit është shumë e rëndësishme: diagnozat e mëparshme, ndërhyrjet kirurgjikale, barnat, sëmundjet e veshkave, reaksionet e mëparshme ndaj kontrastit, diabeti, sëmundjet e tiroides, shtatzënia dhe faktorë të tjerë mund të ndikojnë në mënyrën se si planifikohet ekzaminimi.
Prandaj, është shumë e rëndësishme që pacienti të mos e shohë pyetësorin para ekzaminimit si një formalitet. Çdo informacion që jep pacienti mund të ndihmojë në zgjedhjen e protokollit më të sigurt dhe më të përshtatshëm.
Në fund, qëllimi nuk është të përdoret kontrasti sa më shpesh, por ta përdorim vetëm atëherë kur informacioni që ai ofron ka vlerë të rëndësishme diagnostike.
Tri keqkuptimet më të shpeshta për kontrastin: Veshkat, jodi dhe mbetja në trup
Një nga keqkuptimet më të zakonshme është se “kontrasti është i rrezikshëm”. Në realitet, siguria e kontrastit varet nga lloji i kontrastit, doza, gjendja e pacientit dhe faktorët individualë të rrezikut.
Një tjetër keqkuptim është se çdo kontrast dëmton veshkat. Edhe ky konstatim nuk është i saktë. Rreziku duhet të vlerësohet individualisht dhe, te shumica e pacientëve me funksion normal të veshkave, ai është shumë i ulët.
Gjithashtu, nuk është e saktë të thuhet se “jam alergjik ndaj jodit”. Ajo që duhet të dimë është nëse pacienti ka pasur më parë një reaksion ndaj kontrastit dhe çfarë lloj reaksioni ka qenë.
Një tjetër mit është se kontrasti “qëndron përgjithmonë në trup”. Në përgjithësi, kontrastet eliminohen kryesisht përmes veshkave. Për gadoliniumin ekziston çështja e mbajtjes së sasive shumë të vogla pas administrimeve të caktuara, por kjo duhet vendosur në kontekstin e përfitimit diagnostik dhe të llojit specifik të kontrastit.
Refuzimi i kontrastit nga frika nuk është gjithmonë i arsyeshëm
Mesazhi kryesor për pacientët do të ishte: mos e refuzoni një ekzaminim të nevojshëm vetëm nga frika e kontrastit, por gjithashtu mos e konsideroni kontrastin si diçka që duhet përdorur automatikisht. Vendimi duhet të bazohet në nevojën diagnostike dhe në gjendjen individuale të pacientit.
Radiologjia moderne nuk e sheh kontrastin si një rrezik që duhet shmangur me çdo kusht, por si një mjet diagnostik shumë të vlefshëm që duhet përdorur në mënyrë të arsyeshme, të individualizuar dhe të sigurt.
Nëse pacienti ka sëmundje të veshkave, ka pasur më parë reaksion ndaj kontrastit, është shtatzënë, ka diabet, përdor metforminë, ka sëmundje të tiroides ose ka ndonjë gjendje tjetër të veçantë, është e rëndësishme ta informojë ekipin radiologjik para ekzaminimit. Kjo i lejon radiologut të zgjedhë protokollin më të përshtatshëm dhe të marrë masat e nevojshme të sigurisë.
Në shumicën e rasteve, kontrasti është një procedurë shumë e sigurt dhe përfitimi i informacionit shtesë që ai ofron është dukshëm më i rëndësishëm sesa rreziku i mundshëm. /Telegrafi/






