Kupa e Botës 2026 ka sjellë jo pak polemika rreth gjykimit, por dy nga gjyqtarët më të njohur anglezë, Michael Oliver dhe Anthony Taylor, kanë arritur të qëndrojnë larg debateve. Megjithatë, ata janë të kufizuar nga rregulloret e FIFA-s dhe nuk mund të gjykojnë ndeshjet e dy kombëtareve.
Në këtë Botëror, Anglia përfaqësohet në listën e gjyqtarëve vetëm nga Oliver dhe Taylor. Michael Oliver fillimisht u detyrua të tërhiqej nga ndeshja mes Bregut të Fildishtë dhe Ekuadorit për shkak të një lëndimi, por më pas u rikthye dhe drejtoi çerekfinalen mes Spanjës dhe Belgjikës.
Kjo ishte ndeshja e tij e shtatë në një Kupë Bote, duke u bërë gjyqtarin anglez me më së shumti paraqitje në historinë e turneut.
Pse nuk mund të gjykojnë as Argjentinën?
Sipas rregullave të FIFA-s, asnjë gjyqtar nuk mund të drejtojë ndeshje të kombëtares së vendit të tij. Për këtë arsye, Oliver dhe Taylor nuk mund të gjykojnë ndeshjet e Anglisë.
Megjithatë, ekziston edhe një kufizim i dytë, më pak i njohur. Të dy gjyqtarët anglezë nuk lejohen të drejtojnë as ndeshjet e Argjentinës.
Sipas The Athletic, kjo lidhet me ndjeshmërinë politike që vazhdon të ekzistojë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës për shkak të Luftës së Ishujve Falkland (Malvinas) në vitin 1982.
Konflikti, që zgjati 74 ditë, përfundoi me dorëzimin e Argjentinës dhe rikthimin e ishujve nën kontrollin britanik. Gjatë luftës humbën jetën 649 ushtarë argjentinas, 255 ushtarë britanikë dhe tre civilë nga Ishujt Falkland. Edhe sot kjo mbetet një çështje e ndjeshme në Argjentinë, ndërsa presidenti Javier Milei ka përsëritur se vendi i tij vazhdon të pretendojë sovranitetin mbi ishujt.
Pikërisht për këtë arsye, FIFA shmang emërimin e gjyqtarëve anglezë në ndeshjet e Argjentinës.
Kjo situatë do të thotë se Oliver dhe Taylor nuk do të kenë mundësi të drejtojnë finalen e Kupës së Botës 2026.
Anglia dhe Argjentina do të përballen mes vete në gjysmëfinale, çka garanton se njëra prej tyre do të luajë në finale. Duke qenë se gjyqtarët anglezë nuk mund të gjykojnë ndeshje të Anglisë apo Argjentinës, ata automatikisht mbeten jashtë garës për finalen.
Për më tepër, rregulloret e FIFA-s ndalojnë që një gjyqtar të drejtojë ndeshje që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rrugëtimin e kombëtares së vendit të tij. Për këtë arsye, Oliver dhe Taylor nuk u caktuan as në ndeshjet e tjera të Grupit L, ku bënte pjesë Anglia, përfshirë përballjet ndaj Kroacisë, Ganës dhe Panamasë.
Kështu, pavarësisht përvojës dhe reputacionit të tyre, dy arbitrat anglezë nuk do të kenë më asnjë angazhim në fazën përfundimtare të Kupës së Botës 2026. /Telegrafi/






