Lamine Yamal ka bërë një deklaratë të fortë në garën për Topin e Artë, duke thënë se ai dhe Kylian Mbappe janë dy futbollistët më të mirë në botë dhe se këtë vit e meriton çmimin prestigjioz.
Yamal e bazon pretendimin e tij në sukseset e arritura gjatë sezonit të kaluar, ku fitoi Kupën e Botës me Kombëtaren e Spanjës dhe La Ligën me Barcelonën.
“Me sinqeritet besoj se janë dy prej nesh që jemi më të mirët në botë dhe këtë vit do ta meritoja për shkak të asaj që kam fituar”, tha Yamal në një intervistë të publikuar nga platforma spanjolle Movistar.
“Sa më përket mua, Mbappe dhe unë jemi dy më të mirët në botë. Për mua kjo është e qartë dhe këtë e di çdo person që i shikon ndeshjet”.

Yamal pati një sezon të jashtëzakonshëm me Barcelonën, duke u shpallur lojtari më i mirë i La Ligës për sezonin 2025/26, ndërsa më pas luajti rol të rëndësishëm në triumfin e Spanjës në Kupën e Botës në Amerikën e Veriut.
Në anën tjetër, Mbappe pati statistika të jashtëzakonshme individuale. Sulmuesi francez ishte golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës, La Ligës dhe Ligës së Kampionëve, por në fund të sezonit nuk arriti të fitojë asnjë trofe.
Mbappe gjithashtu kishte deklaruar javën e kaluar se nuk kishte pasur asnjë lojtar më të mirë se ai gjatë sezonit të kaluar, duke bërë të qartë ambiciet e tij për Topin e Artë.
Megjithatë, Yamal kishte mbajtur një qëndrim më të matur vetëm pak ditë më parë, kur në një konferencë për media kishte thënë se beson se ka mundësi ta fitojë çmimin pas një sezoni “të jashtëzakonshëm”, por nuk do të lutej për vota.
19-vjeçari ishte renditur i dyti në edicionin e kaluar të Topit të Artë, pas Ousmane Dembele, ndërsa Mbappe kishte përfunduar i treti në vitin 2023, kur çmimin e fitoi Lionel Messi për herë të tetë.
Dembele, ndërkohë, beson se Topi i Artë duhet të mbetet përsëri te një futbollist i Paris Saint-Germainit, pasi klubi francez ka arritur ta mbrojë titullin e Ligës së Kampionëve.
Në mesin e favoritëve për çmimin është edhe sulmuesi i Bayern Munichut dhe Kombëtares së Anglisë, Harry Kane.
Fituesi i Topit të Artë për vitin 2026 do të shpallet më 26 tetor në Londër./Telegrafi/





