Nga remitencat te investimet, Ajredini: EFTA hap një kapitull të ri ekonomik mes Kosovës dhe Zvicrës

Nacionale

Marrëveshja me EFTA-n, interesimi i investitorëve zviceranë dhe orientimi i diasporës drejt hapjes së bizneseve mund ta çojnë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës në një nivel të ri, ka deklaruar Butrint Ajredini, zëvendëspresident i Odës Ekonomike Zvicër–Kosovë. Në një intervistë për “Përballje Podcast”, në Telegrafi.com , Ajredini foli për mundësitë që po hapen për […]

Madhësia e shkronjave

Marrëveshja me EFTA-n, interesimi i investitorëve zviceranë dhe orientimi i diasporës drejt hapjes së bizneseve mund ta çojnë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës në një nivel të ri, ka deklaruar Butrint Ajredini, zëvendëspresident i Odës Ekonomike Zvicër–Kosovë.

Në një intervistë për “Përballje Podcast”, në Telegrafi.com , Ajredini foli për mundësitë që po hapen për ekonominë e Kosovës, eksportet drejt tregut zviceran dhe investimet e diasporës.

Ai tha se marrëveshja me Asociacionin Evropian të Tregtisë së Lirë – EFTA, ku bëjnë pjesë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, do t’ua lehtësojë bizneseve kosovare qasjen në këto tregje.

“Kjo krijon një hapësirë të re për eksportimin e prodhimeve dhe shërbimeve prej Kosovës në Zvicër, Islandë, Norvegji dhe Lihtenshtajn. Është marrëveshje shumë e mirë për Kosovën dhe do të hapë mundësi që vendi të zhvillohet ekonomikisht shumë më shumë se deri më tani”, deklaroi Ajredini, shkruan Telegrafi.

Sipas tij, hyrja në fuqi e marrëveshjes për Zvicrën nga 1 tetori do t’i zvogëlojë barrierat tregtare dhe do ta bëjë më të lehtë eksportimin e drejtpërdrejtë të produkteve dhe shërbimeve kosovare.

Si shembull konkret, Ajredini përmendi industrinë e përpunimit të drurit dhe prodhimin e dritareve në Kosovë.

“Një produkt i drurit apo një dritare që prodhohet në Kosovë mund të eksportohet në Zvicër pa ndërmjetësues. Shitet drejtpërdrejt atje, faturohet nga Kosova dhe pagesa kryhet pa barriera”, tha ai, shkruan Telegrafi.

Përveç eksportimit të produkteve, marrëveshja pritet të krijojë më shumë mundësi edhe në sektorin e shërbimeve. Kompanitë zvicerane mund të kontraktojnë shërbime profesionale në Kosovë, duke përfshirë kontabilitetin dhe sektorë të tjerë.

Ajredini vlerësoi se kjo do t’ua mundësonte kompanive zvicerane uljen e shpenzimeve, ndërsa Kosovës do t’i sillte vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik.

Ai theksoi se një nga pengesat kryesore mbetet perceptimi që investitorët e huaj kanë për Kosovën, veçanërisht në lidhje me sigurinë dhe funksionimin e institucioneve.

Sipas tij, Kosova është ndër vendet më të sigurta, por kjo duhet t’u prezantohet më mirë investitorëve ndërkombëtarë.

Ajredini tregoi se Oda Ekonomike Zvicër–Kosovë ka ndihmuar edhe në sjelljen e investitorëve zviceranë në vend, duke u ofruar informacione për sistemin ligjor, tatimet dhe hapjen e bizneseve.

“Ideja jonë është të krijojmë besim për investime në Kosovë, përmes këshillave dhe informimit ligjor: si hapet një kompani, si funksionojnë tatimet dhe cilët janë hapat konkretë për të investuar”, u shpreh ai, shkruan Telegrafi.

Në këtë drejtim, ai përmendi edhe përvojën e një investitori zviceran, i cili kishte investuar më parë në vende të ndryshme të botës, por ishte befasuar pozitivisht nga mundësitë në Kosovë.

“E kemi bindur një investitor zviceran të vijë dhe të investojë në Kosovë. Ai ka investuar në shumë vende të botës dhe shpesh më thotë: ‘Sikur ta kisha ditur më herët, do të kisha investuar më shumë në Kosovë, sepse këtu gjërat ecin më shpejt dhe më lehtë’”, tregoi Ajredini.

Ai përmendi tatimin prej 10 për qind në fitim, mungesën e tatimit mbi dividendën dhe koston më të ulët të fuqisë punëtore si disa nga përparësitë që Kosova mund t’ua ofrojë investitorëve.

Një pjesë të rëndësishme të intervistës Ajredini ia kushtoi edhe rolit të diasporës shqiptare në Zvicër. Sipas tij, gjeneratat e reja po e ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, duke mos u kufizuar më vetëm në dërgimin e parave për konsum.

“Gjenerata e dytë dhe e tretë nuk dëshiron vetëm të dërgojë para për konsum. Ne duam të krijojmë biznese, të paguajmë paga dhe të krijojmë zhvillim ekonomik. Qëllimi është të mos dërgojmë vetëm remitenca, por të investojmë dhe të krijojmë vende pune”, theksoi ai.

Ajredini tha se lidhja e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës duhet të shndërrohet në bashkëpunim më të madh ekonomik. Sipas tij, diaspora ka kapital, përvojë dhe njohuri profesionale që mund të orientohen drejt zhvillimit të vendit.

“Investoni në Kosovë. Këtu është ardhmëria dhe ka njerëz shumë të zotë, punëtorë e profesionistë. Duhet ta zhvillojmë vendin, në mënyrë që askush të mos detyrohet të largohet më nga Kosova”, përfundoi Ajredini.

“Përballje Podcast” transmetohet çdo të diele nga ora 21:10 në RTV dhe në Telegrafi.com/.