“Dua të bëhem më i miri” – Zabërgja shkëlqen në Ukrainë, shtatë gola e katër asistime – synon pesë ligat më të forta të Evropës

Sport

Baton Zabërgja po kalon një formë të shkëlqyer me Metalist 1925 Kharkiv, ku është shndërruar në një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës ukrainase. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka realizuar shtatë gola dhe ka dhënë katër asistime në nëntë ndeshje në të gjitha garat, ndërsa është përzgjedhur katër herë në formacionin më të mirë […]

Madhësia e shkronjave

Baton Zabërgja po kalon një formë të shkëlqyer me Metalist 1925 Kharkiv, ku është shndërruar në një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës ukrainase. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka realizuar shtatë gola dhe ka dhënë katër asistime në nëntë ndeshje në të gjitha garat, ndërsa është përzgjedhur katër herë në formacionin më të mirë të javës.

Në një intervistë për Telegrafin, 25-vjeçari nga Vushtrria ka folur për formën e tij, paraqitjet me fanellën e Kosovës dhe synimet personale e të klubit për këtë sezon.

Në të njëjtën kohë, sulmuesi po fiton gjithnjë e më shumë besimin e selektorit Franco Foda në Kombëtaren e Kosovës. Në tri nga katër ndeshjet e fundit, Zabërgja është aktivizuar si titullar, një përvojë që e konsideron të veçantë dhe realizim të një ëndrre të kahershme.

“Është një përjetim që nuk ka më të mirë. E kam potencuar edhe në disa intervista se të jesh pjesë e Kombëtares është një ëndërr e bërë realitet”, ka thënë Zabërgja për Telegrafin.

Sa u përket rezultateve të Kosovës në këto katër ndeshje, 25-vjeçari i vlerëson ato si të kënaqshme, ndonëse beson se përfaqësuesja mund të merrte tri pikët edhe në përballjen me Izraelin.

“Për sa u përket rezultateve në këto katër ndeshje, besoj se, përveç ndeshjes me Izraelin, ku mendoj se mund t’i merrnim tri pikët, rezultatet kanë qenë të kënaqshme”, është shprehur ai.

Baton Zabërgja në aksion me fanellën e Kosovës

Sulmuesi i krahut nuk pajtohet me vlerësimin se e ka nisur ngadalë sezonin. Sipas tij, në fillim i munguan minutat e mjaftueshme në fushë, por me rritjen e hapësirës për lojë kanë ardhur edhe paraqitjet e mira.

Ai thekson se sezoni i parë në Kharkiv i shërbeu kryesisht për t’u ambientuar me skuadrën dhe kampionatin, ndërsa tani ndihet shumë më i përshtatur dhe synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Madje, sulmuesi kosovar nuk e fsheh ambicien për t’u bërë golashënuesi më i mirë në Ukrainë.

“Nuk do ta quaja një fillim të ngadaltë të sezonit. Fillimisht nuk kisha minuta të mjaftueshme, por me kalimin e kohës dhe me më shumë minuta në fushë kanë ardhur edhe performancat dhe rezultatet pozitive. Sezoni i parë në Kharkiv ishte për t’u ambientuar, ndërsa tani, në sezonin e dytë, besoj se jam përshtatur mirë. Synoj, pse jo, të bëhem golashënuesi më i mirë në Ukrainë”, deklaroi Zabërgja.

Baton Zabërgja duke i festuat golat me stilin e tij me shqiponjë

Statistikat e tij deri më tani e dëshmojnë ndikimin në lojën ofensive të Metalist 1925 Kharkiv. Me shtatë gola dhe katër asistime në nëntë ndeshje në kampionat dhe Kupën e Ukrainës, ai shpreson që këto shifra të vazhdojnë të rriten deri në fund të sezonit.

Zabërgja synon ta përsërisë formën e treguar gjatë sezonit 2024/25 me Dinamo City në Shqipëri, por kësaj radhe dëshiron të bëjë edhe më mirë në futbollin ukrainas.

“Kam shënuar shtatë gola dhe kam dhënë katër asistime në nëntë ndeshje në kampionat dhe Kupën e Ukrainës. Shpresoj ta vazhdoj këtë formë, ashtu siç bëra edhe në sezonin 2024/25 te Dinamo City në Shqipëri, pse jo edhe më mirë këtë sezon me Kharkivin”, është shprehur ai.

Paraqitjet e mira të kanë sjellë edhe vlerësime individuale. Zabërgja është përzgjedhur katër herë në formacionin më të mirë të javës dhe po aq herë është shpallur lojtari i ndeshjes. Ai thotë se këto vlerësime i ka pritur, pasi ndihet i ambientuar me kampionatin dhe synon të përparojë edhe më shumë.

Katër herë në formacionin e javës në tetë xhiro

Përveç synimeve personale, Zabërgja ka ambicie të qarta edhe me klubin e tij. Metalist 1925 Kharkiv synon të bëjë një sezon të suksesshëm në kampionat dhe Kupën e Ukrainës, me objektivin për të siguruar pjesëmarrjen në njërin prej kompeticioneve evropiane.

Ai shprehet i kënaqur me kushtet dhe organizimin profesional të klubit, ndërsa shpreson që forma e tij e mirë të vazhdojë edhe në ndeshjet e ardhshme.

“Synimet e klubit janë që, përveç Kupës së Ukrainës, këtë sezon të arrijmë të sigurojmë pjesëmarrjen në njërin prej kompeticioneve evropiane. Sa u përket paraqitjeve të mia, shpresoj ta vazhdoj këtë formë. Ndihem shumë mirë këtu dhe është një klub tejet i organizuar profesionalisht”, ka thënë ai.

Metalist 1925 Kharkiv me Baton Zabëgjën

Megjithatë, 25-vjeçari nuk e fsheh se, sikurse çdo futbollist, edhe ai synon të ngjitet sa më lart në karrierë. Në rast të ofertave nga kampionate të tjera, vendimet do të diskutohen mes menaxherëve dhe klubit, por ambicia e tij afatgjatë është të luajë në një prej pesë ligave më të forta të Evropës.

“Nëse do të ketë oferta për të ndërruar kampionat, për atë pjesë do të merren menaxherët dhe klubi. Synimi i çdo lojtari është të përparojë dhe të ngjitet sa më lart, veçanërisht të jetë pjesë e pesë ligave më të forta në Evropë”, ka përfunduar Zabërgja për Telegrafin.

SofaScore e ka vlerësuar me notën 7.58 për paraqitjet gjatë këtij sezoni, duke treguar se ai është prej më të mirëve deri tani.

E kjo mund të bëhet shumë shpejt realitet, nëse Zabërgja vazhdon me këtë ritëm. /Telegrafi/

Komentet