Christa Pike, e dënuara me vdekje në SHBA, është zgjuar dhe po flet rreth një javë pasi mbijetoi ndaj një përpjekjeje për ekzekutimin e saj me injeksion vdekjeprurës. Ndërkohë, avokatët e saj po kërkojnë të zbardhin se çfarë shkoi keq gjatë procedurës.
Amerikanja pasi u zgjua të martën në spital filloi të pyeste “ku jam dhe kush jeni ju?”, thotë njëri prej avokatëve të saj.
Randy Spivey, pjesëtar i ekipit ligjor të Pike, tha se ajo qëndron ende me dëmtime në funksionet njohëse, por është plotësisht e vetëdijshme për atë që i ndodhi gjatë përpjekjes për ekzekutim, shkruan bbc.
Sipas tij, që nga zgjimi, Pike ka bërë një sërë pyetjesh, përfshirë edhe për familjen e Colleen Slemmer, gruas që ajo vrau rreth tri dekada më parë.
Avokatët thanë se Pike kishte bashkëpunuar me ekipin e ekzekutimit për të gjetur një venë dhe ishte e sjellshme dhe e qetë deri në momentin kur iu injektua substanca.
Pas kësaj, ajo u zgjua në spital me një tub në fyt dhe e rrethuar nga persona që nuk i njihte.
“Ne nuk e dimë se çfarë pasojash do të ketë e gjithë kjo” në shëndetin e saj mendor, tha Spivey, duke e përshkruar Pike si “të zemëruar dhe të hutuar”.
“Ajo që i ndodhi Christës ishte pikërisht ajo për të cilën shteti ishte paralajmëruar se mund të ndodhte”, shtoi avokati.
Gruas 50-vjeçares iu administruan dy doza të pentobarbitalit më 30 shtator në një burg të Tennesseet, por ajo nuk vdiq. Sipas avokatëve të saj, ajo besohet të jetë personi i vetëm që ka mbijetuar pasi i janë administruar barnat për një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës. /Telegrafi/






