Google ka çaktivizuar një funksion të ri eksperimental të Google Earth vetëm një ditë pas prezantimit, pasi përdoruesit nisën ta keqpërdorin atë për krijimin e imazheve të rreme me përmbajtje të ndjeshme.
Funksioni, i mbështetur nga modeli i inteligjencës artificiale Nano Banana 2, u prezantua më 30 korrik dhe u mundësonte përdoruesve të modifikonin pamjet reale satelitore përmes komandave me tekst.
Ata mund të zgjidhnin një vendndodhje të caktuar dhe të shtonin elemente të reja, si ndërtesa, parqe, skena historike apo objekte imagjinare.
Megjithatë, brenda një kohe të shkurtër, teknologjia u përdor për të krijuar materiale mashtruese që paraqisnin sulme terroriste, baza ushtarake, kampe refugjatësh dhe pasoja të sulmeve të sajuara.
Ndër shembujt e publikuar nga përdoruesit ishin një objekt bërthamor i rremë në Iran, një varrezë ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë dhe një skenë që imitonte sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse këto imazhe nuk zëvendësonin hartat dhe pamjet zyrtare në versionin publik të Google Earth, ato mund të ruheshin dhe shpërndaheshin si pamje ekrani duke përfshirë koordinata reale, rrugë dhe ndërtesa ekzistuese, duke krijuar rrezik për keqinformim.
Google njoftoi më 31 korrik se kishte pezulluar funksionin dhe se ai do të rikthehet vetëm pasi të vendosen masa më të avancuara sigurie për të parandaluar përdorimin e tij për krijimin e përmbajtjeve mashtruese. /Telegrafi/






