Çifti 72-vjeçar Hasan dhe Sabha Suheyli nga Hatay, të cilët prej vitesh dëshironin të mësonin shkrim e lexim, e realizuan ëndrrën e tyre përmes kursit ku shkonin së bashku.
Bashkëshortët, të cilët për arsye të ndryshme nuk kishin mundur të shkonin në shkollë gjatë fëmijërisë, vendosën të mësonin shkrim e lexim për të kapërcyer vështirësitë që përjetonin gjatë procedurave në institucione.
Çifti, prindër i 7 fëmijëve, u regjistrua në Qendrën e Arsimit Publik Nedime Keser në Antakya dhe, pasi kërkesa e tyre u miratua, ndoqën kursin e hapur në Shkollën Fillore Mahmut Yarım.

Hasan dhe bashkëshortja e tij Sabha shkojnë dorë për dore në kursin që zhvillohet 5 ditë në javë dhe ulen në të njëjtën bankë.
Çifti përforcoi njohuritë e marra duke mësuar së bashku edhe në shtëpi dhe përjetoi gëzimin e të mësuarit shkrim e lexim.
Hasan Suheyli tha se, pasi lindi në një familje të madhe, nuk pati mundësi të arsimohej për shkak të vështirësive ekonomike.
Ai u shpreh se mosnjohja e shkrim-leximit ia kishte vështirësuar jetën, veçanërisht gjatë procedurave zyrtare.
Duke theksuar se i kishte kushtuar rëndësi arsimimit të fëmijëve të tij, ai tha: “Fëmijët tanë nuk i lamë si ne. Shkolla është e rëndësishme. Pasi nuk u arsimuam, natyrisht që u mërzitëm. I dërguam fëmijët tanë në shkollën pranë lagjes sonë dhe të gjithë i arsimuam”.
Ai tha se tani mund t’i ndihmojë, aq sa ka mundësi, nipërit dhe mbesat e tij me mësimet. /AA.





