Nga akademia e Bayernit te fanella e Kosovës, për Erblin Osmanin, ditët e fundit kanë qenë si një skenar që do ta ëndërronte çdo futbollist i ri.
Vetë Bayerni i ka kushtuar vëmendje të veçantë rrugëtimit të 17-vjeçarit, duke e përmbledhur historinë e tij me titullin “Nga kampusi tek ekipi nacional”.

Osmani fillimisht mori ftesën nga Kosova, më pas bëri debutimin me ekipin e dytë të Bayernit dhe vetëm disa ditë më vonë e përjetoi një tjetër moment të madh, debutimin me Kombëtaren A të Kosovës.
Mesfushori u aktivizua në minutën e 87-të në fitoren 1:0 ndaj Irlandës në “Fadil Vokrri”, duke bërë kështu paraqitjen e tij të parë me “Dardanët”.
Për Osmanin, ky nuk ishte thjesht një debutim, por realizimi i një ëndrre që e kishte ndjekur prej kohësh.
“Ishte si një ëndërr. Gjithnjë kam dashur të luaj për Kosovën. Jam shumë i lumtur që debutova. Një ëndërr është bërë realitet”, kishte deklaruar ai për FFK-në pas ndeshjes.
Edhe Bayerni e ka veçuar këtë periudhë të veçantë në karrierën e talentit të tij, duke theksuar se brenda pak ditësh Osmani kaloi nga ekipi i dytë i klubit gjerman te debutimi me përfaqësuesen e Kosovës./Telegrafi/





