Manchester City merr goditjen e madhe, shpallet fajtor për 114 akuza

Sport

Pas më shumë se tre vitesh pritjeje, më në fund ka ardhur verdikti për një prej rasteve më të mëdha disiplinore në historinë e Ligës Premier. Manchester City është shpallur fajtor për 114 nga 115 akuzat që rëndonin ndaj klubit për shkelje të rregullave financiare të Ligës Premier, sipas raportimit të gazetarit David Ornstein të […]

Madhësia e shkronjave

Pas më shumë se tre vitesh pritjeje, më në fund ka ardhur verdikti për një prej rasteve më të mëdha disiplinore në historinë e Ligës Premier.

Manchester City është shpallur fajtor për 114 nga 115 akuzat që rëndonin ndaj klubit për shkelje të rregullave financiare të Ligës Premier, sipas raportimit të gazetarit David Ornstein të “The Athletic”.

Në shkurt të vitit 2023, Liga Premier akuzoi Manchester Cityn për 115 shkelje të rregullave financiare gjatë një periudhe nëntëvjeçare, nga viti 2009 deri në 2018. Prej tyre, 54 kishin të bënin me dështimin për të ofruar informacione të sakta dhe të përditësuara financiare.

Gjatë kësaj periudhe, City po konsolidohej si një prej skuadrave më të forta në Evropë dhe shpenzoi rreth 1.44 miliardë euro për transferime, sipas shifrave të Transfermarkt. Në të njëjtën periudhë, klubi fitoi tri herë titullin e Ligës Premier, në vitet 2012, 2014 dhe 2018.

Që nga momenti kur akuzat u ngritën në vitin 2023, Manchester City ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje, duke deklaruar se kishte një “trup të pakundërshtueshëm provash” në mbrojtje të pozicionit të klubit.

Seanca dëgjimore e çështjes u zhvillua për 12 javë, nga shtatori deri në dhjetor të vitit 2024, ndërsa vendimi i komisionit të pavarur u prit për muaj të tërë për shkak të sasisë së madhe të materialeve dhe provave që duhej të shqyrtoheshin.

Tani, pas kësaj pritjeje të gjatë, është bërë publik verdikti. Megjithatë, çështja ende nuk ka përfunduar.

Sanksionet ndaj Manchester Cityt nuk janë përcaktuar ende dhe, sipas raportimeve, të gjitha mundësitë mbeten të hapura. Klubi pritet gjithashtu të apelojë vendimin e komisionit të pavarur./Telegrafi/