Ambasadori i Bosnjë e Hercegovinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Zlatko Lagumdzija, ka kritikuar ashpër presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar paraqitjen e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe qëndrimin e tij ndaj Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.
Në një intervistë për Televizionin Federal të Bosnjë e Hercegovinës, Lagumdzija tha se Vuçiq ka ndryshuar qasjen e tij krahasuar me vitet e mëparshme.
“Mendoj se Vuçiq ka mësuar diçka nga kjo turpërim i tij, kur doli komplet budalla në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur u miratua Rezoluta për Srebrenicën”, deklaroi Lagumdzija.
Ai tha se Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë ka qenë një nga bazat e veprimit diplomatik të Bosnjë e Hercegovinës gjatë viteve të fundit.
Lagumdzija foli edhe për nderimin që iu bë në Serbi ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskës, Ratko Mladiq, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid. Ai tha se delegacioni i Bosnjë e Hercegovinës në OKB i ka kushtuar vëmendje të veçantë kësaj çështjeje.
Duke folur për paraqitjen e kryesuesit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beciroviq, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Lagumdžija tha se janë ngritur çështje kyçe të zhvillimeve aktuale botërore, përfshirë luftën në Gaza, vuajtjet e palestinezëve dhe agresionin rus në Ukrainë.
“Ne, si Bosnjë e Hercegovinë, kemi ndjeshmëri për agresione të tilla që po ndodhin para syve tanë”, tha ai.
Ai theksoi rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëroi për, siç u shpreh, përpjekjet për dobësimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe krijimin e kushteve për shkëputjen e Republika Srpskës nga Bosnjë e Hercegovina.
“Ideologjitë që çuan në gjenocid, fatkeqësisht, ende kërcënojnë me ndarjen e Bosnjë e Hercegovinës”, deklaroi Lagumdžija.
Ai veçoi edhe aktivitetet diplomatike të delegacionit boshnjak në Nju Jork. Bećiroviq zhvilloi takime me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, si dhe me përfaqësues të disa shteteve, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, zhvilloi takime me homologë të tij, përfshirë ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.
“Guterres është ende një mik i madh i Bosnjë e Hercegovinës”, tha Lagumdžija, duke shtuar se takimi i Bećiroviqit me Trumpin kaloi në atmosferë të mirë.
“Mendoj se ky është një sulm kaq i përqendruar, mund të them lirshëm, i Bosnjë e Hercegovinës në Kombet e Bashkuara ndaj asaj që janë sulmet ndaj Bosnjë e Hercegovinës”, përfundoi ai.






