Austria e nisi me fitore aventurën e re në Ligën e Kombeve, por Ralf Rangnick nuk dëshiron që skuadra e tij të ndalet këtu. Pas triumfit 3-1 ndaj Izraelit, përzgjedhësi austriak tashmë e ka kthyer vëmendjen te Kosova dhe përballja e së dielës në Vjenë.
“Duam që fitores ndaj Izraelit t’ia bashkojmë edhe fitoren ndaj Kosovës”, ka deklaruar Rangnick.
Në anën tjetër, “Dardanët” vijnë në këtë sfidë pas një starti pozitiv, pasi e mposhtën Irlandën me rezultat 1-0 në “Fadil Vokrri”. Të dyja skuadrat kështu hyjnë në përballjen e Vjenës me nga tri pikë.

Por kjo ndeshje do të ketë edhe një dimension të veçantë për Rangnickun.
Përballë tij do të jetë Franco Foda, trajneri që dikur e drejtonte Austrinë dhe që tash udhëheq Kosovën. Foda ishte përzgjedhës i Austrisë nga viti 2017 deri në vitin 2022.
Pavarësisht se këtë herë do të jenë në dy bankina të ndryshme, Rangnick ka folur me shumë respekt për marrëdhënien me bashkëkombësin e tij.
“Jam takuar disa herë me të në vitet e fundit. Kaloj shumë mirë me të. Ai është shumë i këndshëm, jashtëzakonisht koleg i këndshëm”, ka theksuar Rangnick për Fodan.
Tash, megjithatë, miqësia do të lihet për pak në plan të dytë.
Rangnick kërkon fitoren e dytë radhazi, ndërsa Foda dhe Kosova synojnë të vazhdojnë serinë pozitive në një Vjenë ku pritet edhe mbështetje e madhe nga tifozët shqiptarë./Telegrafi/





