Problemi mund të nisë pa dhimbje, me ndryshime të vogla që shumëkush i lidh vetëm me lodhjen ose tharjen e syve
Zgjatimet e qerpikëve mund ta bëjnë shikimin më të theksuar pa përdorur çdo ditë maskarë, por mbajtja e tyre nuk është plotësisht pa rrezik. Një studim i ri sugjeron një lidhje të mundshme mes përdorimit të shpeshtë të zgjatimeve dhe problemeve si tharja e syve dhe pezmatimi i skajeve të qepallave.
Bëhet fjalë edhe për marimangat e gjinisë Demodex, të cilat jetojnë natyrshëm në lëkurën e njeriut, përfshirë folikulat e qerpikëve dhe gjëndrat dhjamore. Prania e tyre, në vetvete, nuk do të thotë se personi ka problem dhe as se ka higjienë të dobët.
Problemi mund të shfaqet kur ato shumohen më tepër se zakonisht dhe kontribuojnë në zhvillimin e blefaritit nga Demodex, pra pezmatimit të skajeve të qepallave.

Trajtimet e shpeshta mund të lidhen me më shumë probleme
Në studimin e paraqitur në kongresin e Shoqatës Evropiane të Kirurgjisë së Kataraktit dhe Kirurgjisë Refraktive morën pjesë 345 gra të moshës 16 deri në 28 vjeç, të cilat përdornin rregullisht zgjatime të qerpikëve.
Sipas rezultateve paraprake, shenja të çrregullimit të funksionit të gjëndrave Meibomiane u vunë re te 85 për qind e pjesëmarrëseve që kishin vendosur zgjatime dhjetë ose më shumë herë.
Këto gjëndra të vogla, të vendosura në qepalla, prodhojnë shtresën yndyrore të filmit të lotit, e cila ndihmon që lotët të mos avullojnë shumë shpejt. Kur gjëndrat bllokohen ose nuk funksionojnë siç duhet, mund të shfaqen tharje e syve, djegie, ndjesi sikur ka rërë në sy dhe turbullim i shikimit.
Në një grup më të vogël grash, qerpikët e të cilave u ekzaminuan me mikroskop, Demodex folliculorum u gjet pothuajse te të gjitha pjesëmarrëset.
Megjithatë, rezultatet duhet interpretuar me kujdes. Studimi nuk kishte një grup kontrolli me gra që nuk përdornin zgjatime qerpikësh, prandaj nuk mund të thuhet se pikërisht zgjatimet e kanë shkaktuar drejtpërdrejt shumimin e merimangave, transmeton Telegrafi.
Problemi mund të lidhet edhe me mënyrën e pastrimit
Zgjatimet e qerpikëve nuk i krijojnë marimangat dhe as nuk i sjellin ato në qerpikë. Megjithatë, rreziku mund të rritet nëse personi, nga frika se mos bien zgjatimet, shmang pastrimin e mirë të zonës rreth qerpikëve.
Në këtë rast, pranë rrënjëve të qerpikëve mund të grumbullohen yndyrë, qeliza të vdekura të lëkurës, mbetje grimi dhe papastërti të tjera, duke krijuar kushte më të favorshme për shumimin e tepërt të marimangave.
Studime të tjera i kanë lidhur zgjatimet e qerpikëve edhe me komplikime të tjera. Ngjitësi mund të shkaktojë reaksion alergjik, pezmatim të lëkurës së qepallave ose irritim të sipërfaqes së syrit.
Zgjatimet e vendosura në mënyrë jo të duhur ose tepër të rënda mund t’i ngarkojnë qerpikët natyralë dhe të kontribuojnë në rënien e tyre.
Rreziqe të tjera të mundshme përfshijnë dëmtimin ose infeksionin e qepallës dhe kornesë, reaksionin alergjik ndaj ngjitësit, si dhe humbjen e përkohshme ose të përhershme të qerpikëve natyralë.
Dëmtimet serioze të shikimit nuk janë të zakonshme, por një infeksion i patrajtuar ose një dëmtim i kornesë mund të ketë pasoja serioze.
Nëse pas përdorimit të zgjatimeve vëreni kruarje të vazhdueshme pranë rrënjëve të qerpikëve, skuqje ose ënjtje të qepallave, luspa apo depozitime rreth qerpikëve, djegie, ndjesi të trupit të huaj në sy, lotim të shtuar ose tharje të theksuar, është mirë të ndërprisni përkohësisht përdorimin dhe të konsultoheni me një oftalmolog.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ndjeshmërisë ndaj dritës, dhimbjes dhe turbullimit të shikimit.
Dhimbja, përkeqësimi i papritur i shikimit, ndjeshmëria e fortë ndaj dritës ose skuqja intensive kërkojnë kontroll mjekësor sa më shpejt.
Zgjatimet duhet të vendosen në një sallon të besueshëm, ku përdoren produkte të përshtatshme dhe ku pajisjet mirëmbahen dhe dezinfektohen siç duhet.
Para trajtimit të parë është mirë të interesoheni për përbërjen e ngjitësit, veçanërisht nëse keni prirje për alergji ose sy të thatë dhe të ndjeshëm.
Zona pranë rrënjëve të qerpikëve duhet pastruar çdo ditë me kujdes, duke përdorur produkte të përshtatshme për qepallat dhe zgjatimet e qerpikëve.
Sytë nuk duhet të fërkohen fort, por as pastrimi nuk duhet shmangur vetëm nga frika se zgjatimet do të zgjasin më pak. Gjithashtu, zgjatimet nuk duhet të hiqen duke i tërhequr vetë në shtëpi.
Nëse shfaqen simptoma, nuk rekomandohet përdorimi me iniciativë personale i vajit të pemës së çajit ose i produkteve të tjera agresive pranë syrit.
Oftalmologu, pas ekzaminimit, mund të përcaktojë nëse bëhet fjalë për alergji, infeksion, sy të thatë ose blefarit nga Demodex dhe të rekomandojë trajtimin përkatës. /Telegrafi/





