Abdixhiku: Ju betohem në Zot, atdhe e familje që s’kam premtuar poste ministrore

Nacionale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar zyrtarët e partisë që javëve të fundit kanë kërkuar largimin e tij nga pozita e kryetarit, duke thënë se angazhimi i tyre për përplasjet e brendshme ka qenë më i madh se ai gjatë fushatave zgjedhore. Në fjalimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar zyrtarët e partisë që javëve të fundit kanë kërkuar largimin e tij nga pozita e kryetarit, duke thënë se angazhimi i tyre për përplasjet e brendshme ka qenë më i madh se ai gjatë fushatave zgjedhore.

Në fjalimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se energjia e përdorur për mbledhje nënshkrimesh, dalje publike dhe debate mediale do të duhej të ishte orientuar drejt betejave elektorale.

“Angazhimi i disave javëve të fundit, organizativ e publik për betejën brenda LDK-së ka tejkaluar çdo angazhim elektoral që kemi pasur në këtë kohë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai tha se po të ishte përdorur e njëjta energji në zgjedhjet nacionale, sipas tij, nuk do të ishte nevoja të mbaheshin dy kuvendet e fundit të partisë.

“Shpesh pyes veten sikur të angazhoheshim kaq shumë në zgjedhje nacionale. Sikur të gjitha këto kapacitete për mbledhje nënshkrimesh, luftë mediale, ndërtim narracionesh fiktive, sikur e gjithë kjo energji të drejtohej në fushatë elektorale, as ky kuvend e as ai para tij nuk do të kishin ekzistuar”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka folur edhe për deklaratat e fundit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili kishte pretenduar se disa delegatëve u janë ofruar poste ministrore në këmbim të mbështetjes për kryetarin e LDK-së.

Kreu i LDK-së tha se është i zhgënjyer me gjuhën e përdorur gjatë javëve të fundit, duke e cilësuar atë si jashtë frymës politike të partisë.

“Jam i zhgënjyer me gjuhën publike të përdorur prej disave javëve të fundit. Shpifja e nxitja kundër partisë s’ka qenë kulturë politike. Në mendësi rugoviane nuk akuzohet pa asnjë provë të vetme se kryetari i partisë po ndan pozita ministrore për 355 delegatët e Kuvendit të tij”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka deklaruar para delegatëve se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe është betuar se nuk ka pasur asnjë rast të ofrimit të posteve në këmbim të votës.