Protesta e 113-të në Tiranë, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë

Nacionale

Qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe nisë marshimin drejt Kryeministrisë, në ditën e 113-të të protestave kundër investimit në Zvërnec. Protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar investimin turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit, si dhe politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike. Gjatë marshimit, qytetarët përcollën thirrje […]

Madhësia e shkronjave

Qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe nisë marshimin drejt Kryeministrisë, në ditën e 113-të të protestave kundër investimit në Zvërnec.

Protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar investimin turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit, si dhe politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Gjatë marshimit, qytetarët përcollën thirrje kundër klasës politike.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa përmes pankartave kanë shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe projekteve të investimeve strategjike.

Në tubimet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe është përfshirë edhe diaspora.

Profesori Lush Susaj i cilësoi 113 ditët e protestës si frymëzim për vijimin e qëndresës.

“113 ditë qëndresë, frymëzim për të vijuar drejt qëllimit të përbashkët, çlirimi i Shqipërisë nga mafia e korrupsionit që e ka zanafillën që në vitin 1991 dhe ka zënë të gjitha hapësirat, duke i marrë frymën Shqipërisë”, deklaroi Susaj.

Ai ngriti akuza ndaj qeverisjes dhe korrupsionit, duke theksuar se po dëmtohen elita, qytetarët dhe të rinjtë.

Ndërkohë, aktivisti Florjan Myftari u shpreh se protestuesit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre dhe se tashmë është koha që protesta të marrë përgjegjësi dhe të propozojë ide konkrete për ndryshimin e situatës në vend.

“Është momenti që protesta të marrë përgjegjësi e të propozojë ide që mund t’i zhvillojmë vetëm së bashku”, deklaroi Myftari.

Sipas tij, shqiptarët e kanë zërin e tyre, ndërsa politikanët vijojnë të mos i dëgjojnë.

Ai theksoi se gjatë katër muajve të protestës nuk është shfaqur një lider i vetëm, pasi liderët janë vetë qytetarët.

Aktivistja Arvina Lleshi ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 24 shtator para Parlamentit, duke kundërshtuar projektligjet që, sipas saj, prekin zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike.

Gjatë protestës Lleshi u shpreh se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, pavarësisht pushtetit, pasurisë apo pozitës që mbajnë, raporton ATSH.

“Ligji nuk është bërë vetëm për qytetarin e thjeshtë, ligji është bërë për të gjithë. Edhe për atë që ka pushtet, për atë që ka lekë, që ka lidhje, edhe për atë që ulet në zyrën më të madhe të shtetit”, deklaroi ajo.

Lleshi u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 24 shtatorit para Parlamentit, duke e lidhur tubimin me kundërshtimin ndaj nismave ligjore të përmendura prej saj.