Hyundai ka nisur të zbulojë modelin e ri Bayon. Gjenerata e dytë e SUV-it kompakt do të prezantohet zyrtarisht javën e ardhshme në Indi, ndërsa është zhvilluar si model global.
Prodhuesi ka publikuar skicat e para të dizajnit dhe fotografi që tregojnë detajet e dritave të përparme dhe të pasme.

Bayon-i i ri ka një dizajn dukshëm më këndor dhe më të fuqishëm se paraardhësi. Pjesa e përparme ka kofano të vendosur më lart, parafango më të theksuar dhe elemente më robuste, ndërsa dritat e ditës kanë formën e shkronjës “H”, në përputhje me gjuhën e re të dizajnit të Hyundai-t.
Edhe pjesa e pasme është ridizajnuar, ndërsa forma e dritave të kujton modelet më të mëdha të markës, përfshirë Ioniq 5. Hyundai synon që Bayon-i i ri të duket më shumë si një SUV klasik, duke ruajtur përmasat kompakte dhe karakterin e përshtatshëm për përdorim në qytet.
Kabina ende nuk është zbuluar plotësisht, por skicat tregojnë një dizajn të frymëzuar nga Hyundai i20 i ri. Pritet një panel digjital me dy ekrane, sistem multimedial 12.3-inç, karikim pa tela për telefonat dhe një paketë të gjerë sistemesh për asistencën e shoferit.
Të dhënat për motorët ende nuk janë konfirmuar. Në Evropë pritet të vazhdojë përdorimi i motorit 1.0 T-GDI me 100 kuaj fuqi, ndërsa mund të ofrohet edhe versioni me teknologji hibride të lehtë 48-voltëshe dhe transmision automatik me shtatë shpejtësi.
Versioni evropian i Bayon-it të ri pritet të prodhohet në Turqi, ndërsa në Brazil do të prodhohet në fabrikën e Piracicabas, në të njëjtën platformë me Hyundai i20. Detajet përfundimtare për pajisjet, motorët dhe çmimin pritet të bëhen të ditura gjatë prezantimit zyrtar. /Telegrafi/





