Lojtarët e Union Berlinit pësuan një disfatë të rëndë në transfertë ndaj Bayern Munichut, duke u mposhtur me rezultatin 7-0 në ndeshjen e xhiros së katërt të Bundesligës. Pas humbjes së thellë, klubi gjerman përdori rrjetet sociale për të thumbuar me humor yllin e Barcelonës, Lamine Yamal.
Unioni pyeti me ironi se pse talenti i ri nuk mund të “heshte thjesht”, duke theksuar se Harry Kane dhe Michael Olise dëshmuan në këtë ndeshje se janë kandidatë për Topin e Artë, njësoj si Yamal, i cili e ka theksuar këtë në disa deklarata të mëparshme.
“A nuk mund ta mbante gojën mbyllur ai shakaxhi 19-vjeçar nga Barcelona? Kane dhe Olise janë në një formë të jashtëzakonshme sot dhe po dëshmojnë se janë favoritë për Topin e Artë”, shkruan klubi gjerman pasi pësoi golin e shtatë.
Postimi u bë shpejt viral në rrjetet sociale, por në fushën e ‘Allianz Arena’, skuadra nga Berlini nuk kishte aspak arsye për të qeshur.
Skuadra bavareze, e udhëhequr nga Vincent Kompany, e kontrolloi plotësisht ndeshjen që nga fillimi. Jamal Musiala e hapi serinë e golave në minutën e 18-të, pas asistimit të Alphonso Davies. Harry Kane e dyfishoi epërsinë nga pika e bardhë, ndërsa Michael Olise shënoi golin e tretë para pushimit.
Në vazhdim, dominimi i Bayernit vetëm sa u thellua. Në minutën e 54-t, Kane shënoi golin e tij të dytë të ndeshjes dhe arriti shifrën jubilare prej 100 golash në Bundesligë.
Sulmuesit anglez i nevojitën vetëm 98 ndeshje për të arritur këtë shifër, duke thyer rekordin e mëparshëm të Dieter Müller, i cili kishte realizuar 100 gola pas 129 ndeshjesh.
Në minutën e 70-të, Ismael Saibari iu bashkua listës së golashënuesve, ndërsa Olise kompletoi het-trikun e parë në karrierën e tij për ta vulosur rezultatin përfundimtar, 7-0./Telegrafi/






