Granit Xhaka është përballur me një zhvillim të papritur në Zvicër, pasi Prokuroria e Luzernit ka nisur procedurë penale ndaj tij lidhur me një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19.
Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës dyshohet se mund të ketë përdorur një certifikatë të falsifikuar ose të lëshuar në mënyrë të parregullt, ndërsa rasti tashmë është pjesë e një hetimi të autoriteteve zvicerane.
Sipas mediumit zviceran Blick, çështja lidhet me një mjeke në Luzern, ordinanca e së cilës ishte kontrolluar nga policia në vitin 2023.
Gjatë bastisjes, autoritetet kishin sekuestruar materiale që tani po shqyrtohen në kuadër të hetimit.
Xhaka, ndërkohë, i ka mohuar akuzat. Përfaqësuesi i tij, Andreas Bantel, ka deklaruar se futbollisti i Sunderlandit ka dokumentacion nga mjekja që dëshmon se është vaksinuar dy herë, më 25 janar dhe 11 nëntor 2022.
Pikërisht rregullsia e këtyre dokumenteve është në qendër të hetimit të Prokurorisë së Luzernit.
33-vjeçari pritet të merret në pyetje nga autoritetet zvicerane në fillim të tetorit.
Xhaka kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 në shtator të vitit 2021, ndërsa çështja e certifikatës së vaksinimit është rikthyer tashmë në vëmendjen e autoriteteve zvicerane./Telegrafi/






