Një djalë i porsalindur u gjet i gjallë në një kosh për mbeturina higjienike në tualetin për personat me aftësi të kufizuara në Aeroportin Ndërkombëtar të Penangut në Malajzi. Foshnjën e gjeti një pastruese pasi dëgjoi të qarat e tij nga koshi.
Ngjarja ndodhi më 31 gusht. Foshnja kishte ende të lidhur kordonin e kërthizës dhe placentën, ndaj policia beson se kishte lindur pak para se të braktisej në tualet.
Punonjësit e aeroportit e nxorën me kujdes foshnjën nga koshi dhe e dërguan në spital. Gjendja e tij shëndetësore u përshkrua si përgjithësisht e mirë.
Pas shqyrtimit të kamerave të sigurisë, policia arrestoi një grua të re nga Malajzia dhe një shtetas 22-vjeçar të Mianmarit, i cili punonte si roje sigurie.
Policia ende nuk ka konfirmuar nëse dy të arrestuarit janë prindërit e foshnjës. Mostrat e tyre janë marrë për analiza forenzike për të përcaktuar lidhjen me të porsalindurin.
Rasti po hetohet sipas ligjit penal të Malajzisë për braktisjen e fëmijëve nën moshën 12-vjeçare, vepër për të cilën parashihet deri në shtatë vjet burgim, gjobë ose të dyja. /Telegrafi/






