I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, ka vënë në pikëpyetje pretendimin e presidentit rus, Vladimir Putin se forcat ruse mund ta pushtojnë të gjithë Donbasin në Ukrainë brenda disa muajsh.
Biseda u zhvillua gjatë takimit të Kushnerit dhe të dërguarit tjetër amerikan, Steve Witkoff, me Putinin në Moskë më 5 shtator, raportoi The New York Times.
Gjatë bisedës në Kremlin, Putini u shfaq i sigurt dhe pretendoi se forcat ruse do ta pushtonin të gjithë Donbasin brenda disa muajsh.
Ai tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të sulmojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, gjë që potencialisht mund të krijojë kushte për një dimër jashtëzakonisht të vështirë.
Kushneri e vuri në pikëpyetje vlerësimin e Putinit.
“Me gjithë respektin, të njëjtën gjë na thatë edhe një vit më parë. Sa janë gjasat që të kthehemi këtu pas një viti dhe ju të na thoni përsëri të njëjtën gjë? Ndoshta nuk duhet ta humbim një vit?”, tha Kushneri, sipas NYT.
Putini ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të tërhiqet nga territoret në Donbas që forcat ruse ende nuk i kanë pushtuar ushtarakisht.
Kushneri dhe Witkoff u takuan me Putinin në Moskë më 5 shtator, ndërsa të nesërmen udhëtuan drejt Kievit, në kuadër të përpjekjes së fundit diplomatike amerikane dhe vizitës së tyre të parë në Ukrainë.
Trump bisedoi me Putinin më 8 shtator, pasi të dërguarit ishin kthyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por atë ditë nuk bisedoi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Më 9 shtator, pas asaj që e përshkroi si një “bisedë të shkëlqyer” me Putinin, Trump tha se presidenti rus është i gatshëm të arrijë një marrëveshje paqeje dhe shprehu shpresën se edhe Zelensky do të pajtohej me një marrëveshje.
Kushneri foli më vonë për mosmarrëveshjen territoriale në konferencën “Yalta European Strategy” në Kiev.
Ai tha se Putini kishte paraqitur vijën territoriale që Moska dëshiron të arrijë dhe pranoi se Ukraina nuk është e gatshme të tërhiqet deri në atë vijë.
“Nëse Ukraina do të dëshironte të tërhiqej deri në atë vijë, atëherë, padyshim, do ta kishim pjesën tjetër të marrëveshjes të dakorduar dhe të përgatitur. Ukraina aktualisht nuk e dëshiron këtë”, tha Kushneri.
Ai shtoi se Uashingtoni po kërkon një “zgjidhje kreative” për mosmarrëveshjen territoriale, e cila mund të mundësojë përparimin e negociatave.
Statusi i territoreve në Donbas që janë nën kontrollin e Ukrainës mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për të rinisur negociatat trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së. /Telegrafi/






