Policia: Protesta e OVL-UÇK-së përfundoi e qetë, mijëra pjesëmarrës u shpërndanë

Nacionale

Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka përfunduar të premten pa incidente. Sipas Policisë, protesta ka nisur në orën 12:00, ndërsa mijëra qytetarë morën pjesë në tubim dhe përmes disa fjalimeve shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me aktgjykimin e […]

Madhësia e shkronjave

Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka përfunduar të premten pa incidente.

Sipas Policisë, protesta ka nisur në orën 12:00, ndërsa mijëra qytetarë morën pjesë në tubim dhe përmes disa fjalimeve shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Policia e Kosovës, lidhur me protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës – UÇK-së, e cila ka filluar sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ashtu siç ka paralajmëruar me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit e qetësisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës”, thuhet në komunikatë.

Policia ka bërë të ditur se gjatë protestës janë angazhuar njësi policore për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe protestuesve.

“Policia e Kosovës, duke e njohur të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta, sipas detyrës zyrtare është angazhuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët dhe vet protestuesit, në mënyrë që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe pa incidente”, thuhet tutje.

Sipas njoftimit, protesta ka përfunduar në orën 12:40, pas mbajtjes së fjalimeve, ndërsa pjesëmarrësit janë shpërndarë.

“Mijëra protestues pas tubimit dhe pas mbajtjes së disa fjalimeve, përmes të cilave janë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, në orën 12:40 protesta ka përfunduar e qetë dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë, përderisa njësitë policore kanë vazhduar me detyra sipas planifikimeve operacionale”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se zyrtarët policorë do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në terren.

“Siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktiviteteve vazhdojnë të mbesin prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës. /Telegrafi/