Ligji që ndryshon mënyrën e përcaktimit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, duke hyrë zyrtarisht në fuqi.
Ligji nr. 95/2026 u miratua nga Kuvendi në orët e para të mëngjesit të 18 shtatorit, rreth orës 01:30. Gjatë paradites, ai u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj dhe tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ndryshimet përcaktojnë se paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë do të jetë e barabartë me 0.38-fishin e pagës së Presidentit të Republikës, ndërsa indeksimi i saj do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit.
Ligji parashikon gjithashtu se ndryshimi i pagës referuese bazë sjell efekte vetëm për gjyqtarët, prokurorët dhe anëtarët e kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Për funksionarët dhe nëpunësit e tjerë publikë që kanë paga të lidhura me pagën e gjyqtarit apo prokurorit, do të vijojë të përdoret paga referuese bazë e përcaktuar përpara vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese.
Ligji hyn në fuqi menjëherë dhe shtrin efektet financiare nga 1 prilli 2023, vetëm për pagat e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.





