Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Koreja e Veriut ka dërguar gjithsej 30 mijë deri në 50 mijë ushtarë në Rusi, një pjesë e të cilëve janë angazhuar edhe në frontin e luftës kundër Ukrainës.
Koreja e Veriut është shndërruar në një prej mbështetësve më të rëndësishëm të Rusisë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës. Pheniani ka furnizuar Moskën me raketa dhe municione, ndërsa ka dërguar edhe trupa që janë përfshirë në luftime, veçanërisht në rajonin e Kurskut.
Sipas Zelensky-t, një pjesë e trupave koreano-veriore janë dërguar në Rusi për të fituar përvojë nga lufta reale dhe për t’u trajnuar në kushtet e një konflikti modern. Megjithatë, ai tha se disa prej tyre janë vendosur drejtpërdrejt në vijat e frontit.
Në të njëjtën kohë, Zelensky ka kritikuar edhe Kinën për rolin e saj në luftë dhe për marrëdhëniet e saj me Moskën, transmeton Telegrafi.
Ai tha se teknologjitë kineze me përdorim të dyfishtë, pra që mund të përdoren si për qëllime civile ashtu edhe ushtarake, vazhdojnë të përfundojnë në Rusi. Sipas tij, nuk është e qartë se Pekini ka ushtruar presion të mjaftueshëm mbi Moskën për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky tha se do të ishte “për të ardhur keq” që Kina nuk është në anën e Ukrainës, pasi sipas tij, një rol më aktiv i Pekinit mund të ndikonte në përfundimin e konfliktit.
“Është për të ardhur keq që ata nuk janë në anën tonë. Por ky nuk është problemi. Problemi është se ata nuk janë në mes, sepse janë pak më shumë me Rusinë”, tha Zelensky.
Sipas presidentit ukrainas, edhe një mbështetje relativisht e kufizuar për Rusinë mund të ketë peshë të madhe për shkak të madhësisë dhe ndikimit të Kinës.
“Kur bëhet fjalë për një vend kaq të madh, edhe pak më shumë mbështetje është shumë”, theksoi ai. /Telegrafi/






