Gjermania përgatit ndalimin e tingujve artificialë të motorëve të veturave elektrike

Teknologji

Gjermania po përgatit një ligj që do të ndalojë tingujt artificialë të motorëve të makinave elektrike. Vitet e fundit, marka të mëdha të automobilave, si Porsche dhe BMW, kanë investuar shumë në rikrijimin e tingullit tradicional të motorëve klasikë me benzinë. Porsche ka zhvilluar funksione për ndryshimin artificial të marsheve, një teknologji që e ka […]

Madhësia e shkronjave

Gjermania po përgatit një ligj që do të ndalojë tingujt artificialë të motorëve të makinave elektrike. Vitet e fundit, marka të mëdha të automobilave, si Porsche dhe BMW, kanë investuar shumë në rikrijimin e tingullit tradicional të motorëve klasikë me benzinë.

Porsche ka zhvilluar funksione për ndryshimin artificial të marsheve, një teknologji që e ka përdorur edhe Hyundai, ndërsa BMW ka patentuar sisteme të avancuara që u mundësojnë veturave elektrike të prodhojnë një tingull të thellë të motorit pa përdorur altoparlantë tradicionalë. Megjithatë, zhvillimi teknologjik ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në landin gjerman të Hamburgut, ku autoritetet lokale janë ngopur me zhurmën e panevojshme.

Sipas revistës gjermane të automobilizmit Auto Motor und Sport, po përgatitet një propozim zyrtar ligjor që do ta shpallte të paligjshme zhurmën artificiale të jashtme të motorëve. Në prapavijë të kësaj mase qëndron një fenomen i ri në trafik, të cilin entuziastët dhe kritikët e automobilave e quajnë “EV posing”.

Në këtë rast, shoferët përdorin altoparlantë të fuqishëm të jashtëm për të riprodhuar tingujt e motorit. Qëllimi është të tërhiqet vëmendja ndaj pranisë së automjeteve elektrike, por kjo nuk po pëlqehet nga autoritetet gjermane.

Politikanët theksojnë se ndalimi do të vlejë vetëm për hapësirën jashtë makinës, kështu që shoferi do të mund të vazhdojë të shijojë tingullin sintetik të motorit brenda kabinës.

Propozimi nuk prek sistemin AVAS, i cili është i përcaktuar me ligj dhe që në shpejtësi të ulëta lëshon një tingull të qetë paralajmërues për të mbrojtur pjesëmarrësit e cenueshëm në trafik.

Në anën tjetër, çdo krijim tjetër i panevojshëm i zhurmës nga jashtë makinës do të duhej të ndalohej me ligj, nëse merret parasysh qëndrimi i autoriteteve në Hamburg.

Nëse propozimi miratohet në Bundestagun në Berlin, ndalimi nuk do të mund të kufizohej vetëm në rrjetin rrugor gjerman. Meqenëse pajisjet e automjeteve i nënshtrohen rregullave të përbashkëta të Bashkimit Evropian për homologimin e automjeteve, një ndalim gjerman do të kërkonte ndryshimin e rregulloreve evropiane. /Telegrafi/