Bashkimi Evropian po përgatitet të vendosë rregulla të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët, duke propozuar ndalimin e tyre për moshat nën 13 vjeç dhe kufizime të forta për përdoruesit më të rritur.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e njoftoi planin të mërkurën gjatë fjalimit të saj për Gjendjen e Bashkimit Evropian në Strasburg.
“Asnjë rrjet social nën moshën 13 vjeç. Asnjë llogari personale nën moshën 15 vjeç”, deklaroi von der Leyen, transmeton Telegrafi.
Sipas propozimit, fëmijët 13 dhe 14 vjeç nuk do të kenë qasje në llogari të zakonshme personale, por mund të përdorin “mini-llogari” nën mbikëqyrjen e prindërve dhe me një numër të kufizuar funksionesh.

Përdorimi i këtyre llogarive do të kufizohej në një orë në ditë. Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, pritet të paraqesë të enjten një ligj të ri të quajtur Kids Act, i cili synon të vendosë rregulla të përbashkëta në të gjithë Unionin për mbrojtjen e fëmijëve në internet.
Një nga ndryshimet kryesore do të ishte mënyra se si kompanitë duhet të dëshmojnë sigurinë e platformave të tyre.
Sipas propozimit, barra e provës do të kalojë te platformat e rrjeteve sociale. Kjo do të thotë se kompanitë do të duhet të dëshmojnë se shërbimet e tyre janë të sigurta për të miturit, në vend që autoritetet të detyrohen të provojnë se një platformë paraqet rrezik.
Von der Leyen tha se Evropa nuk duhet ta konsiderojë fuqinë e kompanive të mëdha teknologjike si diçka që nuk mund të kufizohet.
“E di se shumë njerëz e konsiderojnë fuqinë e Big Tech si dërrmuese dhe të pamundur për t’u kthyer pas. Unë nuk jam dakord. Evropa ka fuqinë të veprojë. Ne vendosim rregullat, jo Big Tech”, tha ajo.
Plani i Komisionit Evropian vjen pasi disa shtete anëtare kanë ndërmarrë tashmë hapa për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët.
Nisma evropiane është pjesë e një debati më të gjerë ndërkombëtar mbi ndikimin e rrjeteve sociale tek të miturit.
Australia u bë në dhjetor të vitit 2025 vendi i parë në botë që ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
BE-ja po shqyrton tani një qasje të përbashkët për të gjithë 27 shtetet anëtare, me synimin që rregullat për moshën dhe mbrojtjen e fëmijëve të mos ndryshojnë ndjeshëm nga një shtet në tjetrin.
Nëse propozimi i Komisionit miratohet, platformat do të përballen me kërkesa të reja për mënyrën se si verifikojnë moshën e përdoruesve dhe si mbrojnë fëmijët nga përmbajtjet dhe funksionet që mund të paraqesin rrezik. /Telegrafi/




