Vinicius Junior ka arritur marrëveshje me Real Madridin për rinovimin e kontratës dhe klubi spanjoll pritet ta zyrtarizojë marrëveshjen e re deri në fund të kësaj jave.
Sipas raportimeve, drejtuesit e Real Madridit dhe përfaqësuesit e sulmuesit brazilian zhvilluan një takim të mërkurën, ku u diskutuan detajet e kontratës së re. Klubi i ka ofruar një paketë financiare që pasqyron rëndësinë e Viniciusit në projektin sportiv të “Los Blancos”.
Pas negociatave, 26-vjeçari vendosi të vazhdojë karrierën në “Santiago Bernabeu”, duke i dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij.
Arsenali kishte ndjekur nga afër situatën dhe ishte gati të bënte një ofertë ambicioze nëse braziliani nuk do të rinovonte me Real Madridin. Madje, sipas burimeve, Vinicius kishte qenë i hapur për një transferim në Londër në rast se nuk do të arrihej marrëveshja me klubin madrilen.
Megjithatë, gjithçka tregon se sulmuesi do ta lidhë të ardhmen e tij me Real Madridin, duke mbyllur përfundimisht interesimin e Arsenalit.
Qëndrimi i Viniciusit sjell më shumë stabilitet te Real Madridi, i cili këtë verë ka përjetuar ndryshime të mëdha. Jose Mourinho është rikthyer në postin e trajnerit, ndërsa klubi ka afruar Marc Cucurellan, Bernardo Silvën, Ibrahima Konaten, Carlos Espin, Denzel Dumfriesin dhe Yan Diomanden.
Në të njëjtën kohë, madrilenët vazhdojnë të punojnë për përforcimin e mesfushës, megjithëse objektivi i tyre Rodri duket se është më pranë një transferimi te rivali i përjetshëm, Barcelona.
Vinicius iu bashkua Real Madridit nga Flamengo në verën e vitit 2018 dhe deri më tani ka zhvilluar 375 ndeshje me fanellën e klubit, duke realizuar 128 gola dhe 100 asistime.
Gjatë kësaj periudhe ai ka fituar tre tituj të La Ligas dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve, ndërsa sezonin e kaluar shënoi 22 gola në të gjitha garat, edhe pse Real Madridi e mbylli sezonin pa fituar asnjë trofe madhor./Telegrafi/






