Sytë janë një nga shqisat më të rëndësishme, por shpesh kujdesi ndaj shikimit nis vetëm pasi shfaqet një problem. Te fëmijët, një shqetësim i vogël që kalon pa u vënë re mund të ndikojë në mënyrën se si ata shohin, mësojnë dhe zhvillohen.
Për këtë temë ka folur Mirlinda Kubati, strabologe, në episodin e 89-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga Qendra Laserike e Syrit Kubati dhe United Hospital.
Në këtë episod u diskutua për strabizmin, dioptrinë te fëmijët, syrin dembel, rëndësinë e kontrollit të hershëm, mbajtjen e syzeve, trajtimin me mbyllje të syrit dhe keqkuptimet rreth operimit të strabizmit.
Kubati shpjegoi se strabologjia merret me devijimin e syrit, por theksoi se më e rëndësishmja është gjetja e shkakut që ka çuar deri te ky devijim.

“Strabologjia studion devijimin e syrit. Strabizëm do të thotë devijim i syrit, por devijimi i syrit duhet me e zbulu shkakun”, tha ajo.
Sipas saj, nëse prindërit nuk vërejnë ndonjë problem më herët, kontrolli i parë te oftalmologu do të ishte mirë të bëhej rreth moshës tre-vjeçare.
“Nëse prindërit nuk vërejnë diçka më herët, atëherë me moshën tre-vjeçare kishte qenë mirë të bëhet vizita e parë te oftalmologu”, u shpreh Kubati.
Ajo tregoi se ka raste kur fëmijët shumë të vegjël, madje edhe foshnjat pesë apo gjashtë muajshe, mund të kenë nevojë për syze, sidomos kur dioptria është e lartë.
Sipas saj, nëse syzet e ndihmojnë fëmijën të shohë më qartë, edhe foshnja nuk i refuzon domosdoshmërisht ato.
Kubati theksoi se prindërit shpesh mund ta vërejnë një problem kur fëmija afrohet shumë te televizori apo kur afron shumë objektet për të parë.
Ajo tha se kjo mund të jetë shenjë e dioptrisë, edhe në rastet kur nuk ka ikje të dukshme të syrit.
“Shpesh prindërit e vërejnë se i afrohet televizionit”, tha ajo.
Duke folur për dioptrinë plus, Kubati shpjegoi se fëmija mund të ketë shikim të turbullt si larg, ashtu edhe afër. Nëse shikimi nuk është i qartë në moshën kur ai zhvillohet, kjo mund të ndikojë në zhvillimin e qelizave nervore të syrit.
“Nëse nuk e ka shikimin e qartë për afër, atëherë ato qeliza nervore të syrit nuk do të zhvillohen”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se shikimi zhvillohet nga lindja deri rreth moshës tetë, nëntë apo dhjetëvjeçare, prandaj trajtimi duhet të fillojë herët.
“Nëse në këtë periudhë nuk trajtohet, atëherë në moshat e shtyra është e kotë dhe syri mbetet sy dembel, siç njihet në popull”, tha Kubati.
Sipas saj, syri dembel nuk nënkupton gjithmonë humbje totale të shikimit, por mund të jetë aq i dobët sa të kufizojë funksionimin e personit në jetën e përditshme dhe në disa profesione ku kërkohet shikim me të dy sytë.
“Mundet me mbet qaq dembel, që mos me pas shikim as një metër largësi”, tha ajo.
Kubati sqaroi se trajtimi i strabizmit nuk fillon menjëherë me operacion. Fillimisht duhet të bëhet ekzaminim i detajuar për të kuptuar shkakun, përfshirë matjen e dioptrisë dhe kontrollin e brendisë së syrit.
“Ndërhyrja është e fundit. Fillimisht duhet të ekzaminohet detalisht dhe të vërtetohet shkaku i strabizmit”, theksoi ajo.
Ajo shpjegoi se në disa raste shkak mund të jetë dioptria, dallimi në dioptri mes dy syve, por edhe sëmundje të tjera të lindura, si katarakta apo rënia e kapakut të syrit.
Në raste të caktuara, sipas Kubatit, fëmijëve u rekomandohen syze dhe mbyllje e njërit sy. Ajo sqaroi se mbyllja e syrit nuk bëhet për ta drejtuar syrin, por për ta zhvilluar shikimin e syrit më të dobët.
“Nuk është qëllimi i mbylljes së syrit drejtimi. Qëllimi është zhvillimi i qelizave nervore të syrit”, tha Kubati.
Ajo theksoi se synimi është që, deri në moshën tetë apo nëntëvjeçare, fëmija të ketë shikim sa më të barabartë në të dy sytë.
“Qëllimi është me barazu shikimin në të dy sytë”, u shpreh ajo.
Kubati foli edhe për shqetësimin e prindërve kur kuptojnë se fëmija duhet të mbajë syze. Sipas saj, pyetja më e zakonshme është nëse fëmija do t’i mbajë syzet gjithë jetën, por ajo theksoi se fokusi kryesor duhet të jetë zhvillimi i shikimit.
“Syza po, mirëpo qëllimi është me syza me pa dhe me u zhvillu shikimi”, tha ajo.
Ajo shtoi se nuk ka vend për brengë nëse fëmija ka nevojë për syze, sepse qëllimi është që ai të shohë qartë dhe të zhvillohet si duhet.
“Nuk ka vend për brengë nëse fëmija ka syza, ka nevojë për syza”, tha Kubati.
Në lidhje me operacionet, ajo sqaroi se jo çdo strabizëm operohet. Ka raste kur syzet e drejtojnë syrin plotësisht apo pjesërisht, ndërsa në raste të tjera, sidomos te strabizmi i lindur, operimi mund të jetë i nevojshëm në moshë të hershme për zhvillimin e shikimit binokular.
Kubati rrëzoi edhe një keqkuptim të përhapur, duke thënë se strabizmi nuk operohet me laser.
“Operacioni i strabizmit nuk bëhet me laser. Askund në botë nuk operohet me laser”, tha ajo.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/




