Shoqata “Krapi” e konsideron normale ngordhjen e tre peshqve në Liqenin e Badovcit: Mund të jenë mbi 50 vjeç

Nacionale

Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi” nga Prishtina ka reaguar lidhur me ngordhjen e tre peshqve më 19 shtator në Liqenin e Badovcit, duke thënë se kjo dukuri nuk duhet të konsiderohet shqetësuese. Përmes një sqarimi, shoqata ka bërë të ditur se, bazuar në vlerësimet dhe përcjelljen e situatës, ngordhja e peshqve të këtij lloji […]

Madhësia e shkronjave

Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi” nga Prishtina ka reaguar lidhur me ngordhjen e tre peshqve më 19 shtator në Liqenin e Badovcit, duke thënë se kjo dukuri nuk duhet të konsiderohet shqetësuese.

Përmes një sqarimi, shoqata ka bërë të ditur se, bazuar në vlerësimet dhe përcjelljen e situatës, ngordhja e peshqve të këtij lloji mund të jetë një proces i natyrshëm.

Sipas shoqatës “Krapi”, peshqit mund të jenë mbi 50 vjeç, duke u bazuar në faktin se ata janë lëshuar në Liqenin e Badovcit gjatë viteve të ’70-ta.

“Ngordhja e këtij lloji të peshkut është e natyrshme, me arsyetimin se këta peshq mund të jenë mbi 50 vjeç”, thuhet në sqarim.

Shoqata ka theksuar se kushtet e Liqenit të Badovcit nuk kanë qenë të përshtatshme për zhvillimin e mëtejshëm të këtij lloji të peshkut, i cili, sipas saj, ka vazhduar të jetojë në liqen pa zhvillim të mëtejshëm.

“Që nga ajo kohë nuk kanë pasur zhvillim të mëtutjeshëm, pasi vendi nuk i është përshtatur këtij lloji, por ata thjesht kanë vazhduar të jetojnë të tillë në liqen”, thuhet në reagim.

“Krapi” ka bërë të ditur se situata është përcjellë gjatë ditës dhe natës, ndërsa ka konstatuar se, pas datës 19 shtator, nuk është vërejtur ngordhje e mëtejshme e peshqve.

“Që nga kjo ditë nuk ka më asnjë lloj peshku të ngordhur”, ka deklaruar shoqata./Telegrafi/