Futbollisti francez, Kylian Mbappe, ka ndarë në Instagram disa fotografi nga pushimet e tij verore, por njëra prej tyre ka ngjallur menjëherë spekulime për jetën e tij private.
Në foto shihet një grua e fotografuar nga pas, pa iu dalluar fytyra, ndërsa shumë ndjekës besojnë se bëhet fjalë për aktoren spanjolle Ester Exposito.
Sulmuesi i Real Madridit publikoi imazhe ku shfaqet duke shijuar pushimet në një jaht, duke notuar, relaksuar pranë detit, duke pirë verë në perëndim të diellit dhe duke shëtitur në qytet.
Në asnjërën prej fotografive ai nuk zbuloi me kë po kalon pushimet.
Spekulimet u shtuan edhe më shumë pasi mediat e huaja publikuan javë më parë fotografi paparacësh ku Mbappe dhe Exposito shiheshin së bashku gjatë pushimeve.
Megjithatë, as futbollisti dhe as aktorja nuk kanë konfirmuar publikisht se janë në një lidhje.
Ester është një nga aktoret më të njohura spanjolle dhe u bë e famshme në mbarë botën me rolin e saj në serialin “Elite” të Netflix.
Prej muajsh, emri i saj lidhet me Mbappen, por të dy vazhdojnë ta mbajnë larg vëmendjes publike jetën e tyre private. /Telegrafi/






