Rreth 100 pjesëtarë të këmbësorisë izraelite u larguan të enjten nga baza ushtarake Sde Teiman, në jug të Izraelit, duke lënë pas armët e tyre, pas një përplasjeje me komandantin e batalionit të tyre.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ushtarët u larguan pasi komandanti kishte hequr disa mbishkrime dekorative të vendosura prej tyre, shkruan aljazeera.
IDF bëri të ditur se largimi masiv i pjesëtarëve të batalionit Tzabar të brigadës Givati është duke u hetuar dhe se çështja është marrë në shqyrtim nga komandantët ushtarakë. Ushtria e cilësoi incidentin si një veprim që nuk përputhet me vlerat dhe disiplinën e saj.
Në videot e publikuara në internet shihen ushtarët duke dalë nga baza ndërsa dëgjohen duke brohoritur dhe duke përdorur fjalë fyese ndaj oficerëve. Në pamje të tjera shihen armët e lëna pas në bazë dhe mbishkrimet dekorative të dëmtuara, përfshirë një tabelë me simbolikë të ferrit dhe mbishkrimin “Mbretëria e Djallit”.
Ushtarët pretenduan se këto mbishkrime ishin pjesë e “traditës së kompanisë së tyre”, ndërsa ushtria deklaroi se disa prej tyre përmbanin mesazhe që poshtëronin rekrutët e rinj. Njësitë e këmbësorisë së IDF-së edhe më parë janë përballur me akuza për trajtim poshtërues ndaj ushtarëve të rinj dhe probleme disiplinore.
Komandanti u dha ushtarëve afat që të ktheheshin në bazën Sde Teiman deri në orën 16:00, duke paralajmëruar se ata që nuk do të riktheheshin do të konsideroheshin mungesë e paautorizuar dhe do të përballeshin me masa disiplinore.
Sipas IDF-së, shumica e ushtarëve u kthyen në bazë gjatë mbrëmjes, ndërsa rreth 30 pjesëtarë të një toge nuk u kthyen. Ushtria njoftoi se ndaj udhëheqësve të protestës do të merren masa nga komandanti i brigadës, ndërsa rastet e ushtarëve që munguan do t’i kalohen policisë ushtarake.
Komandanti i brigadës Givati, koloneli Netanel Shamaka, deklaroi se nuk ka vend për cenim të disiplinës, autoritetit të komandantëve dhe rregullave bazë mbi të cilat funksionon ushtria izraelite. Ai tha se incidenti do të trajtohet me “seriozitetin më të madh”. /Telegrafi/






