Kombëtarja e Kroacisë vazhdon të mbështetet te bërthama e saj e artë, e cila sfidon kalimin e viteve. Pas finales së Botërorit 2018 dhe vendit të tretë në Katar 2022, kroatët mbeten një kundërshtar i fortë për çdo rival.
Të renditur në vendin e 11-të në renditjen e FIFA-s, ata do të përballen me Anglinë në ndeshjen hapëse të Grupit L.
Këta janë pesë lojtarët që pritet të luajnë rol kyç për skuadrën e Zlatko Dalic.
Talenti 19-vjeçar konsiderohet si një nga mbrojtësit më premtues në Evropë. Pas një sezoni mbresëlënës në huazim te Hamburgu në Bundesliga, ku ndihmoi ekipin të siguronte mbijetesën, Vuskovic rriti ndjeshëm reputacionin e tij.

Mbrojtësi 1.93 metra i gjatë ka shënuar edhe një gol me Kroacinë dhe trajneri Dalic e ka cilësuar si një nga shtyllat e kombëtares për dekadën e ardhshme.
Një nga emrat më të rëndësishëm të mbrojtjes kroate. Gvardiol u rikthye nga një dëmtim i rëndë në këmbë dhe pritet të jetë titullar ndaj Anglisë.
Ai ka qenë pjesë e të gjitha turneve të mëdha të Kroacisë në vitet e fundit dhe në Botërorin 2022 luajti çdo minutë të mundshme. Dalic e ka përshkruar më parë si “mbrojtësin qendror më të mirë në botë”.
Kapiteni dhe simboli i futbollit kroat vazhdon të sfidojë moshën. Fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2018 është pranë paraqitjes së 200-të me kombëtaren.
Pavarësisht se ka mbushur 40 vjeç, Modric mbetet organizatori kryesor i lojës së Kroacisë. Legjenda që fitoi 28 trofe me Real Madridin, përfshirë gjashtë Liga të Kampionëve, vazhdon të jetë zemra e mesfushës kroate.
Një nga yjet në ngjitje të futbollit kroat. Sucic ka fituar dy trofe vendas në sezonin e tij të parë në Itali dhe është shndërruar në një titullar të rregullt në mesfushën e kombëtares.
I aftë të luajë në disa role në mesfushë, ai konsiderohet si një nga liderët e brezit të ri që do të marrë stafetën nga veteranët.
Sulmuesi me përvojë mbetet një nga armët kryesore të Kroacisë në repartin ofensiv. Me 36 gola për kombëtaren, ai është golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e vendit.
Kramaric realizoi gjashtë gola në eliminatoret e Botërorit 2026 dhe sezonin e kaluar shënoi 15 herë për Hoffenheimin. Me 158 gola, ai është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit gjerman.
Nga legjenda Luka Modric te talentët Luka Vuskovic dhe Petar Sucic, Kroacia kombinon përvojën me energjinë e brezit të ri.
Pikërisht kjo përzierje e bën skuadrën e Zlatko Dalic një kundërshtar të rrezikshëm për Anglinë dhe një pretendent serioz në Botërorin 2026. /Telegrafi/





