Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, raportohet se ka paguar 5 mijë funte për banorët e Palermos, pasi disa vendas të revoltuar protestuan kundër bllokimit të pjesëve të qytetit gjatë fundjavës së saj luksoze të martesës, duke lënë mesazhe dhe grafite nëpër rrugë.
Artistja 30-vjeçare pritet të kurorëzojë dashurinë me aktorin britanik Callum Turner, 36 vjeç, në një ceremoni madhështore që zhvillohet në kuadër të një feste treditore në Itali, e cila nisi me një koktej mirëseardhjeje në Palazzo Valguarnera Gangi.
Banorët e Palermos nuk kanë hezituar të shprehin pakënaqësinë e tyre. Sipas raportimeve të DailyMail, në pjesë të ndryshme të qytetit janë shfaqur grafite dhe mesazhe kundërshtuese lidhur me organizimin e eventit.
Një raport i ri pretendon se Dua Lipa ka ndarë 5 mijë funte si kompensim për banorët që jetojnë në apartamente me pamje nga zonat ku janë krijuar hapësira shtesë parkimi për dasmën.

Gazeta britanike raportoi se kishte vërejtur grafite me përmbajtje fyese të shkruara në një kolonë mermeri në sheshin ku u mbajt festa e mirëseardhjes të premten në mbrëmje.
“Atmosfera nuk përputhet shumë me historinë romantike që Dua duket se po përpiqet të krijojë”, tha një burim për The Sun.
Një tjetër mesazh i shkruar pranë sheshit Piazza Croce dei Vesper ishte: “Palermo nuk jepet me qira”, megjithëse më vonë ai u mbulua me bojë.
Pak para orës 17:30, dhjetëra qytetarë që ishin mbledhur në Piazza Sant’Anna për të parë mbërritjen e të ftuarve mbetën të zhgënjyer kur policia u kërkoi të largoheshin nga zona.
“Gjithçka duket paksa e ekzagjeruar. Ne vetëm donim të shihnim Dua Lipën dhe t’i uronim fat, por policia na tha të largoheshim”, u shpreh një banor i pakënaqur.
Për festën, sheshi ishte dekoruar me automjete klasike si Mercedes, Alfa Romeo Giulietta dhe Fiat 128. Mbi këtë të fundit ishte vendosur një pjatë me kunguj, domate, qershi dhe bathë, në stilin tradicional sicilian.
Po ashtu, ishte ngritur edhe një bar koktejesh në ambient të hapur, i dekoruar me pasqyra antike, ilustrime të skenave tradicionale të Sicilisë dhe rafte me libra.
Disa biznese lokale janë shprehur të zemëruara pasi janë detyruar të mbyllin aktivitetin më herët se zakonisht në një nga mbrëmjet më të frekuentuara të javës për qytetin, i cili vitet e fundit është bërë destinacion i preferuar edhe për turistët britanikë.
Galleria Moderna, që ndodhet përballë sheshit, u mbyll për publikun që në orën 14:00 të së premtes, pasi do të shërbejë si një nga lokacionet e festimeve. Sipas raportimeve, hapësira është marrë me qira për rreth 10 mijë funte.
Në zonë janë vendosur edhe barriera metalike për të krijuar korridore të sigurta, duke mundësuar që VIP-at të mbërrijnë me automjete pa u parë nga publiku.
Festimet nisën të enjten në mbrëmje me një koktej në ambient të hapur në hotelin luksoz Villa Igiea, ku po qëndrojnë Dua, Callum dhe shumica e mysafirëve.
Atë mbrëmje, ekipe të shumta sigurimi me fanella të zeza patrullonin zonën, duke monitoruar kalimtarët dhe përfaqësuesit e mediave.
Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, kryetari i Palermos, Roberto Lagalla, shprehu kënaqësinë që çifti kishte zgjedhur qytetin e tij për ceremoninë.
Ai kujtoi se Dua dhe Callum kishin vizituar Palermon gjatë pushimeve vitin e kaluar dhe ishin mahnitur nga qyteti.
“Fakti që një artiste e nivelit botëror si Dua Lipa ka zgjedhur Palermon për të festuar martesën e saj, vetëm një vit pas vizitës së mëparshme, dëshmon se qyteti ynë është bërë një destinacion me rëndësi ndërkombëtare”, tha ai.
Duke komentuar ankesat e disa banorëve, Lagalla shtoi: “E kuptoj shqetësimin që mund të shkaktojnë ngjarje të këtij niveli dhe më vjen keq nëse dikush do të përballet me kufizime të përkohshme. Megjithatë, këto janë ngjarje të jashtëzakonshme dhe masat e marra synojnë mbi të gjitha sigurinë e pjesëmarrësve dhe qytetarëve”.
Ai theksoi gjithashtu se evente të tilla sjellin përfitime të mëdha për qytetin.
“Nuk duhet të harrojmë promovimin që Palermo fiton në arenën ndërkombëtare. Vëmendja globale që krijohet nga ngjarje të tilla ndihmon në rritjen e atraktivitetit të qytetit dhe gjeneron përfitime ekonomike për komunitetin”, deklaroi kryebashkiaku.
Policia dhe kompanitë private të sigurisë kanë krijuar një perimetër të rreptë sigurie rreth shesheve Piazza Santa Anna dhe Piazza Croce dei Vespri nga e enjtja deri të shtunën.
Megjithatë, autoritetet thuhet se kanë shmangur përmendjen e drejtpërdrejtë të dasmës në njoftimet publike, duke e përshkruar aktivitetin si një “prodhim demonstrativ”.
Banorët e Palermos mbeten të ndarë në qëndrimet e tyre. Disa kanë shprehur pakënaqësi për kufizimet, ndërsa të tjerë kanë bërë shaka duke pyetur nëse Dua Lipa do të organizonte një koncert falas në plazh si kompensim.
Dua dhe Callum mbërritën në Sicili të enjten dhe po relaksohen në hotelin luksoz Villa Igiea, ku një natë qëndrimi kushton rreth 6 mijë funte.
Sipas mediave britanike, çifti ka rezervuar një kat të tërë suitash me pamje nga Deti Tirren.
Gjithashtu, raportohet se janë paguar edhe 10 mijë euro shtesë për komunën e Bagherias, ku të shtunën do të mbahet një tjetër pritje në Villa Valguarnera. Mediat italiane kanë spekuluar se gjatë mbrëmjes mund të performojë edhe Elton John.
Për sigurinë e ngjarjes janë angazhuar më shumë se 50 truproja të ardhur nga Roma dhe Londra, ndërsa disa rrugë pranë Villa Valguarnera janë mbyllur, duke shkaktuar pakënaqësi te bizneset lokale.
“Jam i lumtur që po martohen këtu, por për ne kjo do të thotë humbje e të ardhurave për një ditë të tërë. Nuk ka kuptim të hapim lokalin, sepse askush nuk mund të arrijë deri te ne”, tha pronari i një kafeneje përballë vilës.
Si pjesë e masave të sigurisë, janë larguar edhe kontejnerët e mbeturinave dhe janë krijuar zona të ndaluara për fluturimin e dronëve rreth Galleria Moderna dhe Villa Valguarnera.
Një banor italo-skoces, i cili jeton pranë vilës, tregoi për Daily Mail se ishte ndaluar nga sigurimi ndërsa po shkonte për të bërë pazar.
“Po kaloja pranë vilës kur dy burra të mëdhenj me fanella ku shkruhej ‘Security’ më ndaluan dhe më pyetën çfarë po bëja aty. U shpjegova se jetoj në lagje dhe po shkoja për blerje. Ata menduan se isha paparac”, tha ai.
Kostoja totale e ceremonisë së martesës raportohet të arrijë në rreth 1.5 milion euro.
Antonio Rini nga departamenti i turizmit në Bashkinë e Palermos deklaroi: “Për ne është një nder i madh që dasma e Dua Lipës po mbahet këtu. Mikpritja që do të marrin ajo dhe mysafirët e saj do të promovojë qytetin tonë në nivel ndërkombëtar. Shumë artistë të njohur do të vijnë në Palermo për këtë ngjarje dhe kjo është një përfitim i madh për qytetin”.
Ndërkohë, burime pranë organizimit e kanë cilësuar ceremoninë si “dasma e vitit në botën e showbizit”, madje duke e krahasuar me martesën ikonike të Michael Corleone dhe Apollonia Vitelli në filmin klasik “The Godfather”, të realizuar në Sicili. /Telegrafi/





