Pas aktgjykimit të shpallur në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, reagimeve të shumta publike u është bashkuar edhe aktori i njohur shqiptar dhe finalisti i “Big Brother VIP Albania 4”, Laert Vasili.
Vasili ka publikuar një video-adresim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ku ka folur gjatë për vendimin e Dhomave të Specializuara dhe për historinë e Kosovës dhe shqiptarëve.
Në prapavijën e videos shihen fotografi me motive patriotike dhe stema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa aktori e ka nisur reagimin e tij duke shprehur tronditjen për vendimin.
“Jam i tmerruar sot, kur shoh që një Gjykatë Evropiane dënon udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan për të mbrojtur tokat e tyre, familjet e tyre, nënat e tyre, fëmijët e tyre dhe eshtrat e të parëve”, është shprehur Vasili.
Në vijim të deklaratës së tij, aktori ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, Evropa ka trajtuar shqiptarët përgjatë historisë, duke iu referuar Konferencës së Berlinit, Konferencës së Londrës dhe Konferencës së Paqes në Paris.
Vasili ka përmendur gjithashtu rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si “të vetmen shpresë” për rrëzimin e vendimit përmes procesit të apelit.
“Kjo është e vetmja shpresë për të rrëzuar këtë vendim qesharak”, ka deklaruar ai.
Aktori ka folur edhe për mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor, duke bërë një krahasim me procese të tjera historike dhe duke kritikuar përdorimin e dëshmitarëve anonimë.
Më tej, Vasili ka shprehur shqetësimin e tij për përçarjet mes shqiptarëve, duke thënë se, sipas tij, shqiptarët nuk duhet të “copëtojnë njëri-tjetrin”.
Në fund të video-adresimit, ai ka bërë thirrje për mobilizim dhe ka përmendur figura të ndryshme të historisë së Kosovës.
“Ngrihuni o sot o kurrë, për Dardaninë e Ibrahim Rugovës, për Dardaninë e Konstantinit të Madh dhe për Dardaninë e Adem Jasharit, të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe të gjithë atyre bij nënash që lanë gjakun për këto troje! Ngrihuni shqiptarë, ngrihuni, ngrihuni!”, ka thënë Vasili.
Reagimi i tij vjen një ditë pas shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhomat e Specializuara njoftuan se katër të akuzuarit u gjetën përgjegjës penalisht për krime lufte, ndërsa vendimi është pjesë e një procesi që nisi me gjykimin në prill të vitit 2023.
Laert Vasili, i njohur për karrierën e tij në aktrim, ishte gjithashtu një prej finalistëve të edicionit të katërt të “Big Brother VIP Albania”. /Telegrafi/






