Me akademi përkujtimore të mbajtur në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, janë përmbyllur sot aktivitetet në kuadër të manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”, organizuar në 25-vjetorin e rënies heroike të Ridvan Qazimit – Komandant Lleshit.
Në akademinë përkujtimore morën pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të UÇPMB-së, bashkëluftëtarë, qytetarë, përfaqësues politikë dhe mysafirë të shumtë nga Lugina e Preshevës dhe më gjerë. Aktiviteti u shoqërua edhe me program artistik kushtuar jetës dhe veprës së Komandant Lleshit dhe dëshmorëve të kombit.
Gjatë ceremonisë, pjesëmarrësit kujtuan figurën e Ridvan Qazimit si një nga emrat më të njohur të rezistencës shqiptare në Luginën e Preshevës, duke vlerësuar sakrificën dhe kontributin e tij për çështjen kombëtare.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, gjatë fjalimit të tij në akademinë përkujtimore, kritikoi mungesën e disa përfaqësuesve politikë në aktivitetet përkujtimore, duke theksuar se dëshmorët nuk ranë për interesa politike apo partiake, por për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.
“Dëshmorët nuk ranë për një logo partie, as për një grusht votash e as për pushtetin e askujt. Ata ranë që ne sot të flasim lirshëm, të frymojmë lirshëm dhe të mbajmë kokat lart”, u shpreh Rexhepi para të pranishmëve.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, tha se figura dhe ideali i Komandant Lleshit vazhdojnë të jetojnë edhe pas 25 vitesh nga rënia e tij.
“Sot, me homazhe pranë varrit të Komandant Lleshit dhe me akademinë përkujtimore, kujtuam me respekt dhe krenari jetën dhe veprën e Ridvan Qazimit”, deklaroi Pajaziti.
Edhe kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, Enkel Rexhepi, në facebook vlerësoi figurën e Komandant Lleshit si simbol të guximit, qëndresës dhe përkushtimit kombëtar.
Me një status në facebook e përkujtoj edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili nderoi kujtimin e Ridvan Qazimit me mesazhin: “Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit Ridvan Qazimi”.
Manifestimi “Ditët e Komandant Lleshit” u zhvillua për disa ditë me aktivitete sportive, homazhe, vizita përkujtimore dhe programe kulturore, duke përkujtuar 25-vjetorin e rënies së një prej figurave më të njohura të UÇPMB-së./Bujanoci.Net/
Përmbyllen “Ditët e Komandant Lleshit” me Akademi Përkujtimore në Bujanoc
Me akademi përkujtimore të mbajtur në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, janë përmbyllur sot aktivitetet në kuadër të manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”, organizuar në 25-vjetorin e rënies heroike të Ridvan Qazimit – Komandant Lleshit.Në akademinë përkujtimore morën pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të UÇPMB-së, bashkëluftëtarë, qytetarë, përfaqësues politikë dhe mysafirë të […]





