Ish-zyrtari i Tribunalit të Hagës: Shpresoj që nesër krerët e UÇK-së t’i bashkohen familjeve

Nacionale

Nazmi Jusufi, ish-zyrtar në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, ka folur për procesin gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shprehur shpresën se drejtësia do të jetë në favor të tyre dhe se ata do të shpallen të pafajshëm. Jusufi ka kritikuar kohëzgjatjen e procesit në Gjykatën Speciale, duke thënë se […]

Madhësia e shkronjave

Nazmi Jusufi, ish-zyrtar në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, ka folur për procesin gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shprehur shpresën se drejtësia do të jetë në favor të tyre dhe se ata do të shpallen të pafajshëm.

Jusufi ka kritikuar kohëzgjatjen e procesit në Gjykatën Speciale, duke thënë se krerët e UÇK-së ndodhen prej gati gjashtë vitesh në paraburgim në Hagë.

“E shoh një dallim, e shoh një proces që në fakt ka zgjatë shumë. Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjenden tash e thuajse gjashtë vite në burgun e Hagës, të ngujuar, të izoluar dhe drejtësia akoma nuk e ka dhënë verdiktin final”, ka deklaruar Jusufi për Telegrafin.

Ai ka shprehur bindjen se, sipas tij, drejtësia do të triumfojë dhe se krerët e UÇK-së do t’u bashkohen familjeve dhe Kosovës.

“Shpresoj shumë që më në fund drejtësia e Luftës Çlirimtare të Kosovës, drejtësia e krerëve më në fund do të triumfon dhe edhe nesër në këtë proces do të dalë e vërteta. Drejtësia do ta thotë më në fund fjalën e vet dhe këta udhëheqës të Luftës Çlirimtare të Kosovës nesër do t’i bashkohen familjes, do t’i bashkohen Kosovës, do t’i bashkohen vendit, do t’i bashkohen kombit”, është shprehur ai.

Duke folur për përvojën e tij në Tribunalin e Hagës, Jusufi ka kujtuar edhe arrestimin dhe transferimin e ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq, në qendrën e paraburgimit në Hagë.

“Ardhja e kryekasapit të Ballkanit, Millosheviqit, bartja e tij nga policia, zbritja nga helikopteri dhe futja e tij në qelinë e burgut, ka qenë një prej momenteve më interesante. Ai që bëri aq dhimbje, që bëri aq shumë tortura, që dogji tokën e Kosovës, ka qenë një emocion i papërshkrueshëm”, ka rrëfyer Jusufi.

Ai ka thënë se kishte shpresuar që Millosheviqi do të përballej me vendimin përfundimtar për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, por ai vdiq para përfundimit të procesit gjyqësor.

“Thashë, më në fund erdhi kryekasapi i cili do ta marrë vendimin e merituar, por për fatin e keq ai vdiq para kohe, para se të shpallej gjykimi final për gjenocidin dhe të keqen që i bëri popullit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Jusufi ka treguar se ka punuar për më shumë se dhjetë vjet në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ku, sipas tij, ka parë nga afër disa prej figurave kryesore të regjimit serb.

“Kam pasur fatin të punoj më shumë se dhjetë vite në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, në Tribunalin e ish-Jugosllavisë, ku akterët kryesorë kanë qenë gjakëpirësit e Ballkanit, Slobodan Millosheviqi me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë”, ka thënë ai.

Në fund, Jusufi ka kujtuar edhe rastet e ish-luftëtarëve të UÇK-së që u gjykuan në Tribunalin e Hagës, duke theksuar se pjesa më e madhe e tyre, sipas tij, u liruan.

“Për fatin e keq të shqiptarëve, në atë gjykatë ka pasur edhe shqiptarë, edhe ish-luftëtarë e çlirimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku edhe ata janë gjykuar, ku pjesa dërmuese e tyre për fatin e mirë janë liruar dhe sot gjenden në Kosovën e lirë”, ka përfunduar Jusufi.

Edili mbështet këtë mbulim special nga Haga. /Telegrafi/