Qeveria gjermane refuzon të japë informata mbi turizmin e snajperëve në Sarajevë

Bota

Raportimet mediale mbi të ashtuquajturin “turizëm i snajperëve” – një fenomen ku individë të pasur nga Evropa Perëndimore dyshohet se paguanin para për të shkuar në kodrat mbi Sarajevën e rrethuar, me qëllim që të qëllonin mbi njerëzit si pjesë e një “safari” vrastar kanë nxitur debate edhe në politikën gjermane. Sipas revistës DER SPIEGEL, […]

Madhësia e shkronjave

Raportimet mediale mbi të ashtuquajturin “turizëm i snajperëve” – një fenomen ku individë të pasur nga Evropa Perëndimore dyshohet se paguanin para për të shkuar në kodrat mbi Sarajevën e rrethuar, me qëllim që të qëllonin mbi njerëzit si pjesë e një “safari” vrastar kanë nxitur debate edhe në politikën gjermane.

Sipas revistës DER SPIEGEL, partia e Të Gjelbërve (Die Grünen) në parlamentin gjerman ka kërkuar zyrtarisht informacione nga Qeveria gjermane nëse shërbimet sekrete dhe autoritetet e tjera gjermane kanë dijeni për përfshirjen e shtetasve gjermanë në këto krime lufte në Sarajevë. Megjithatë, përgjigjja e qeverisë ka qenë një refuzim i prerë për të dhënë detaje.

Në përgjigjen e saj drejtuar Të Gjelbërve, Qeveria e Gjermanisë ka argumentuar se dhënia e një përgjigjeje konkrete është “e papërballueshme” për shkak të volumit të madh të punës që kërkohet, transmeton Telegrafi.

Ministria e Brendshme njoftoi se gjurmimi i informacioneve do të kërkonte një rishikim manual të mijëra dosjeve fizike dhe digjitale që datojnë nga viti 1992.

Sipas qeverisë, kjo do të bllokonte punën e institucioneve për një kohë të papërcaktuar. Ky arsyetim vlen edhe për arkivat e Prokurorisë së Përgjithshme Federale, ku është pohuar se kriteret si “vrasje me snajper” nuk figurojnë në regjistrat e proceseve, prandaj do të duhej një kërkim manual në një arkivë të madhe.

Ky qëndrim i qeverisë gjermane ka shkaktuar zemërim te partia e Të Gjelbërve. Irene Mihaliq, deputete e Të Gjelbërve dhe ish-police, prindërit e së cilës rrjedhin nga Kroacia, u shpreh për DER SPIEGEL se mospërgjigjja ndaj pyetjeve mbi këto krime kaq dramatike është problematike. Sipas saj, qeveria po minon të drejtën parlamentare për kontroll dhe informim.

Mihaliq njoftoi se do të dorëzojë një ankesë zyrtare, duke kërkuar një sqarim të plotë mbi pjesëmarrjen e mundshme të shtetasve gjermanë në vrasjet në Sarajevë.

Ajo theksoi se këto “krime monstruoze nuk duhet të bien në harresë në asnjë rrethanë dhe autorët nuk duhet t’i shpëtojnë drejtësisë”.

Dyshimet për këto “safari” vdekjeprurëse bazohen kryesisht në hulumtimet dhe kallëzimin penal të autorit italian Ezio Gavazzeni.

Sipas këtyre pretendimeve, snajperistë privatë nga Evropa udhëtonin drejt Sarajevës, kryesisht gjatë fundjavave, për të qëlluar njerëz nga pozicionet e ushtrisë serbe, dhe më pas ktheheshin në jetën e tyre normale në vendet perëndimore. /Telegrafi/