Rexhep Boja – një jetë shërbim ndaj Kosovës

Nacionale

Në pesëvjetorin e ndarjes nga jeta të Dr. Rexhep Bojës, kujtesa nuk na kthen vetëm te një myfti, profesor apo ambasador. Na kthen te një epokë. Na kthen te një brez burrash që u rritën me Kosovën si plagë dhe e përjetuan lirinë e saj si amanet; te njerëz që pozitën nuk e panë si […]

Madhësia e shkronjave

Në pesëvjetorin e ndarjes nga jeta të Dr. Rexhep Bojës, kujtesa nuk na kthen vetëm te një myfti, profesor apo ambasador. Na kthen te një epokë. Na kthen te një brez burrash që u rritën me Kosovën si plagë dhe e përjetuan lirinë e saj si amanet; te njerëz që pozitën nuk e panë si privilegj, dijen nuk e mbajtën për vete dhe autoritetin nuk e shndërruan në lavdi personale, por në mjet shërbimi për vendin. Në këtë brez kishte vendin e vet Dr. Rexhep Boja.

Ai nuk hyri rastësisht në rrjedhat kombëtare të viteve ’90. Vetëdija e tij kombëtare i parapriu pozitës së tij institucionale. I lindur në Kërrnicë të Klinës, në trungun e familjes Boja, te komitit Feriz Boja dhe në një mjedis ku kujtesa e qëndresës shqiptare ishte e gjallë, ai u rrit në një horizont ku feja, kombi, dija dhe detyrimi ndaj vendit nuk ishin botë të ndara.

Kur doli nga Kosova për shkollim, ai nuk doli për t’u shkëputur prej saj.

Doli për t’u arsimuar — që një ditë t’i kthehej asaj i përgatitur.

Rruga e tij e formimit e çoi në Damask. Në vitin 1967, Rexhep Boja i ri mbërriti në një prej qendrave më të rëndësishme të botës arabe. Atje nuk gjeti vetëm shkollën dhe studimet fetare. Gjeti edhe një botë shqiptare të mërguar, por jo të dorëzuar: dijetarë, arsimtarë, intelektualë dhe burra të Kosovës që kishin marrë me vete, larg atdheut, kujtesën e një vendi të robëruar dhe shpresën për Shqipëri e Kosovë të lira.

Në atë mjedis u afrua veçanërisht me patriotët Kosovar si Ismail Gorani e dijetarin Abdulkadir Arnauti, burra te një brezi që kishin paguar me mërgim, përndjekje e sakrificë besnikërinë ndaj çështjes shqiptare.

Kështu, Damasku për Rexhep Bojën nuk ishte thjesht një adresë shkollimi. Ishte një univers i dytë formimi: vendi ku dija fetare takohej me ndërgjegjen kombëtare, ku kujtesa e Kosovës ruhej larg saj. Vetë Boja thoshte Damaskun si një vend që kishte “vend të veçantë në zemrën time”. Mërgimtari shqiptar në Lindje nuk ishte thjesht një njeri që kishte ndryshuar vendbanim. Në shumë prej atyre familjeve jetonte kujtesa e shpërnguljes, e humbjes së vendlindjes dhe e përpjekjes për të ruajtur prejardhjen. Rexhep Boja, i ardhur nga Kosova, gjendej mes shqiptarësh që Kosovën e shihnin nga larg — dhe pikërisht largësia e kishte bërë atë edhe më të shtrenjtë.

Një dëshmi e veçantë e formimit të hershëm atdhetar të Dr. Rexhep Bojës ishte edhe një dorëshkrim i vjetër i “Lahutës së Malcis”, të cilin, gjatë qëndrimit në Damask, ia kishte dhuruar një prej patriotëve shqiptarë. Për të, nuk ishte thjesht një libër i ruajtur si kujtim. Ishte një copë Shqipërie që e shoqëronte larg atdheut. Boja dinte përmendësh vargje të tëra të “Lahutës”, këngën e Oso Kukës e kujtonte me emocion të veçantë. Në ato vargje ai gjente atë që do ta karakterizonte edhe vetë gjatë gjithë jetës: besën, burrërinë, qëndresën dhe dashurinë e pakusht për atdheun. Sikur në shpirtin e tij të ri të bashkëjetonin që atëherë dy shtyllat që do ta përcillnin gjatë gjithë jetës: besimi në Zot dhe dashuria për kombin.

Ky dorëshkrim, i marrë nga duart e patriotëve shqiptarë, merr me vonë një domethënie të veçantë simbolike. Rexhep Boja mund të ishte larg Kosovës, por Kosovën dhe shqiptarinë i mbante me vete — në mendje, në zemër dhe, siç dëshmon edhe ajo “Lahutë” e vjetër, edhe në çantën e tije të studentit. Dhe shumë vite më vonë, kur do t’i vinte radha të dëshmonte se çfarë vlere kishte atdheu për të, ai ta dëshmonte me jetën e vet sikurse duke recituar vargjet e “Lahutës”.

Rruga drejt dijes nuk ishte e lehtë. Gjatë qëndrimit në Damask, Rexhep Boja përballej me përndjekjen e regjimit jugosllav, e cila shtrihej edhe përmes kanaleve diplomatike. Për këtë arsye, ai u detyrua të largohej fshehurazi nga Siria. Me ndihmën e miqve shqiptarë, kaloi përmes Jordanisë dhe, pas një rrugëtimi të vështirë, arriti në Arabinë Saudite, ku u vendos në Medinë. Pikërisht aty vendosi të vazhdonte rrugën e tij të shkollimit dhe të thellonte dijen mbi Islamin.

Por Medina për të nuk ishte vetëm një qytet i largët ku i jepej mundësia për të studiuar. Ajo ishte vendlindja e Profetit Muhamed a.s., qyteti i Hixhretit, i dijes dhe i besimit. Të jetonte dhe të studionte aty kishte një domethënie të veçantë. Në atë tokë, ku kishte jetuar, vepruar dhe ku prehet i Dërguari i Allahut, edhe përditshmëria e tij studentore merrte një kuptim më të thellë. Studimi në Medinë, kështu, nuk ishte vetëm një etapë e formimit të tij akademik. Ishte një përvojë që ndërthurte dijen me besimin, jetën studentore me përjetimin shpirtëror dhe kërkimin intelektual me afërsinë ndaj vendeve ku kishte marrë formë historia e hershme e Islamit.

Në vapën e rëndë të Medinës, mes temperaturave të larta, ditëve të gjata dhe kushteve që kërkonin durim e përshtatje, ai i kushtoi vitet më të mira të rinisë së tij dijes.

Sa më e vështirë bëhej rruga, aq më i madh dukej vullneti i tij për të vazhduar.

Etja e tij për dije ishte më e madhe se lodhja, më e fortë se largësia dhe më e qëndrueshme se çdo vështirësi.

Në atë qytet të bekuar, larg Kosovës, ai po ndërtonte ngadalë themelet e një jete të tërë.

Medina nuk ia dha edhe diçka tjetër: një lidhje të thellë shpirtërore me një vend që do ta mbante gjith në zemër. Pikërisht në ato vite u farkëtua një prej cilësive më të mëdha të Rexhep Bojës: aftësia për të qëndruar përballë vështirësisë pa e humbur qëllimin.

Në atë vapë të Medinës, në qytetin e Profetit, një i ri shqiptar po ndërtonte me durim armën më të fuqishme që do t’i duhej një ditë për t’i shërbyer vendit të vet: dijen.

Vitet po kaloni dhe shkallë pas shkalle, ai arriti magjistraturën, pastaj gradën me te larte shkencore doktoraturën. U bë doktori i parë shqiptar qe studio mbi fesë islame.

Gjatë viteve të formimit dhe studimeve, Rexhep Boja takoi e njohu njerëz nga vende të ndryshme të botës islame: studentë, profesorë, dijetarë, intelektualë dhe figura publike. Disa prej tyre, me kalimin e viteve, do të arrinin pozita të rëndësishme në institucionet fetare, akademike e shtetërore të vendeve të tyre.

Ndoshta në ato vite askush nuk mund ta dinte se këto njohje të rinisë një ditë do të merrnin një vlerë të jashtëzakonshme. Por Boja nuk i harroi. Ai i ruajti, i kultivoi dhe i mbajti gjallë.

Miqësitë e krijuara, në rrethet e dijetarëve dhe në jetën e përditshme të botës arabe do të shndërroheshin me kalimin e kohës në një rrjet besimi, respekti dhe miqësie, të cilin ai do ta zgjeronte gjatë gjithë jetës. Ky ishte kapitali i marrëdhënieve njerëzore. Rexhep Boja nuk mësoi vetëm nga librat. Ai mësoi edhe njerëzit, kulturat dhe shoqëritë. Mësoi gjuhën e një bote të tërë dhe kuptoi rëndësinë e urave që ndërtohen mes njerëzve.

Ato lidhje nuk i ndërtoi vetëm për vete. Me kalimin e viteve, do t’i kthente në ura për Kosovën. Njerëz që i kishte njohur si studentë, profesorë apo bashkëkohës do t’i gjendeshin më vonë në poste të larta. Dhe kur Kosovës do t’i duhej të trokiste në dyert e botës arabe, Boja do ti kishte dyer te hapura.

Pas shumë prej atyre dyerve gjendeshin njerëz që e njihnin prej vitesh, ia çmonin dijen, i besonin fjalës së tij dhe e kuptonin shqetësimin e tij për Kosovën.

Kështu, vitet e Medinës i dhanë atij dy pasuri të mëdha: dijen që e mbarti në mendje dhe njerëzit që i mbajti në zemër. Njërën do ta kthente në institucione e arsim; tjetrën në miqësi. Kur shumë vite më vonë Kosova do të kishte nevojë për miq, për njohje dhe për një zë të saj në botën arabe, ato lidhje të hershme do të merrnin një kuptim të ri.

Prandaj, kur Rexhep Boja u largua nga Medina për t’u kthyer në Kosovë, ai nuk mori me vete vetëm gradat dhe dijen e fituar. Mori kujtesën e qytetit të Profetit, përvojën e një bote të tërë dhe një rreth njerëzish që historia do t’i vendoste përsëri në rrugën e tij.

Dhe pastaj erdhi vendimi që, ndoshta më mirë se çdo fjalë, e shpjegon karakterin e tij: u kthye.

Më 1986, Rexhep Boja u kthye në Kosovë. Mund të qëndronte në një hapësirë ku kishte krijuar njohje, ku njihte gjuhën, kulturën dhe institucionet, ku formimi i tij akademik mund t’i siguronte një karrierë të qetë.

Por ai zgjodhi Kosovën. Zgjodhi të kthehej në një vend që po hynte në vitet e trysnisë së madhe politike. U kthye me një kapital që atëherë ishte i rrallë: dije, doktoraturë, gjuhën arabe, përvojë, kontakte dhe kredibilitet në qarqe ku Kosova thuajse nuk kishte zë.

Prandaj kthimi i Rexhep Bojës duhet parë si kthimin e dijes në atdhe.

Fillimisht shërbeu si imam në Pejë dhe si pedagog në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë. Më pas, në prag të dekadës vendimtare për Kosovën, Rexhep Boja mori drejtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Institucionin nuk e mori thjesht për ta administruar. Ua mori Institucionin nga duart një strukture drejtuese që kishte funksionuar brenda kornizës së sistemit jugosllav dhe që, në kushtet e asaj kohe, ishte e lidhur me rendin institucional të atij sistemi.

Me ardhjen e Bojës në krye, nisi një kthesë e fuqishme në orientimin e institucionit. Ai e shkëputi gjithnjë e më shumë Bashkësinë Islame nga fryma e nënshtrimit ndaj strukturave të vjetra dhe e vendosi në rrugën e mëvetësisë institucionale, në hap me zhvillimet e mëdha kombëtare që po përfshinin Kosovën. Ai e mori institucionin për ta kthyer në një institucion që do të ecte me popullin e vet. Në atë kohë, ndërsa shqiptarët po largoheshin nga strukturat e imponuara të sistemit jugosllav dhe po ndërtonin institucionet e tyre të pavarura, Boja ishte i qarte se Bashkësia Islame duhej të shkeputej nga cdo ktheter sebo jugosllave.

Ai e orientoi institucionin drejt atyre që mëvetësinë, lirinë dhe çlirimin e Kosovës i kishin vënë në themel të misionit të tyre kombëtar. Kështu, drejtimi i tij nuk ishte thjesht një ndërrim emri në krye të një institucioni fetar. Ishte ndërrim kursi. Nga një institucion i futur në arkitekturën institucionale të Jugosllavisë, ai ndërtoj një institucion shqiptar, të mëvetësishëm dhe të përgjegjshëm ndaj kohës historike që po jetonte Kosova. Rexhep Boja nuk priti që historia ta ndryshonte institucionin. Ai e ndryshoi drejtimin e institucionit për t’iu bashkuar historisë së popullit të vet.

Procesi do të kulmonte në dhjetor të vitit 1993, kur Bashkësia Islame e Kosovës u shkëput nga Rijaseti jugosllav dhe shpalli mëvetësinë e saj. Rexhep Boja nuk priti që historia ta ndryshonte institucionin. Ai e ndryshoi drejtimin e institucionit për t’iu bashkuar historisë së popullit të vet. Prej atij momenti, Bashkësia Islame nën drejtimin e tij do të bëhej gjithnjë e më shumë pjesë e infrastrukturës së qëndresës shqiptare: e arsimit, e organizimit shoqëror, e mbrojtjes së të drejtave, e pajtimit dhe e luftes për liri.

Nen udhëheqjen e tije ai e hapi institucionin e BIK, kur studentët shqiptarë dëboheshin nga konviktet, Medreseja u be strehe per ta. Kur duhej mbajtur një tubim politik, kulturor apo shkencor, institucionet e BIK-ut ishin hapësirë per to. Kur arsimi shqip dëbohej nga objektet shtetërore, xhamitë u kthyen, ndër të tjera, edhe në hapësira mësimi.

Kur shoqërisë shqiptare i duhej infrastrukturë për të mbijetuar jashtë sistemit serb, Bashkësia Islame vinte në dispozicion atë që kishte. Nen udhëheqjen e tije dhe përgjegjësinë e tije mbi 1,200 tubime, manifestime dhe aktiviteteve politike, kulturore e shkencore janë organizuar në objektet e institucioneve të BIK.

Në vitet më të rënda të represionit serb, kur Kosova ishte nën një trysni të jashtëzakonshme dhe krimet ndaj popullsisë shqiptare duhej të dokumentoheshin para se të humbnin gjurmët, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut u bë një prej institucioneve të rëndësishme të dokumentimit të dhunës në Kosovë.

Dhe pikërisht në atë kohë, Rexhep Boja i hapi dyert e institucioneve që drejtonte.

KMLDNJ-ja zhvilloi për një periudhë veprimtarinë e saj në hapësirat e Fakultetit të Studimeve Islame, në një ambient të vënë në dispozicion nga institucioni i drejtuar prej Bojës. Aty mblidheshin dhe dokumentoheshin dëshmi për arrestime, tortura, vrasje, dëbime dhe forma të tjera të represionit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kjo nuk ishte thjesht mikpritje institucionale. Në një kohë kur regjimi serb përpiqej ta fshihte dhunën dhe ta mbyllte Kosovën para syve të botës, Boja i dha hapësirë një institucioni që po e kthente vuajtjen e popullit në dëshmi, ndërsa dëshminë në argument para botës. Por kontributi i tij nuk përfundonte te hapësira fizike.

Nëse KMLDNJ-ja, nga Prishtina, po i tregonte botës Perëndimore se çfarë po ndodhte në Kosovë, Rexhep Boja po bënte një përpjekje të ngjashme në një drejtim tjetër: po e çonte atë zë në botën islame.

Ai kishte gjuhën, formimin, autoritetin dhe lidhjet e krijuara gjatë viteve të gjata në botën arabe. Në vendet ku Kosova kishte më pak zë, ai mund të fliste drejtpërdrejt me dijetarë, intelektualë, udhëheqës fetarë dhe figura publike.

U tregonte se çfarë po ndodhte me shqiptarët e Kosovës. Fliste për represionin serb dhe kërkonte që bota islame të mos qëndronte indiferente përballë tragjedisë së një populli që po luftonte për liri. Kështu, në një mënyrë të veçantë, dy zëra dilnin nga e njëjta hapësirë dhe i shkonin dy botëve.

KMLDNJ-ja mblidhte dëshmitë e dhunës dhe i përcillte ato drejt opinionit e institucioneve Perendimore.

Rexhep Boja, me autoritetin e tij fetar, intelektual dhe njerëzor, e përcillte të njëjtin opinion drejt botës islame.

Në këtë kuptim, hapësirat e BIK-ut dhe të Fakultetit të Studimeve Islame nuk ishin thjesht ambiente të një institucioni fetar. Në vitet e represionit, ato u shndërruan në pika ku dëshmia, dija dhe qëndresa shqiptare takoheshin.

Rexhep Boja e dinte se lufta për Kosovën nuk zhvillohej vetëm në rrugë, në demonstrata apo në frontet e rezistencës. Ajo zhvillohej edhe në një front tjetër, më të heshtur, por po aq të rëndësishëm: në betejën për të fituar mendjen e botës dhe për t’i treguar asaj të vërtetën e Kosovës.

Në vitin 1993 erdhi një tjetër akt me peshë të madhe: mëvetësia e Bashkësisë Islame të Kosovës nga Rijaseti i sistemit jugosllav. Ky akt ishte pjesë e frymës së përgjithshme të asaj kohe. Mëvetësia e Bashkësisë Islame ishte pjesë e këtij procesi më të gjerë të çlirimit institucional. Por për Bojen mëvetësia nuk mjaftonte. Një institucion i mëvetësishëm kishte nevojë për njerëz të përgatitur që ta mbanin mbi supe atë mëvetësi.

Pikërisht për këtë arsye, Boja i kushtoi rëndësi të jashtëzakonshme arsimit të lartë islam në Kosovë.

Fakulteti i Studimeve Islame, i themeluar me vendim të Kuvendit të BIK-ut më 15 gusht 1992 dhe që nisi punën në vitin akademik 1992/93, ishte përgjigje ndaj një nevoje të thellë të kohës. Ishte i bindur ne bindjen e tijë se Studenti shqiptar nuk duhej të largohej më patjetër nga vendi për të marrë një formim të lartë në shkencat islame. Ai mund të studionte në Kosovë, në gjuhën shqipe, në rrethin e vet shoqëror e kulturor dhe njëkohësisht të ishte pjesë e një tradite të gjerë të dijes islame.

Kjo ishte shumë më tepër se hapja e një fakulteti.

Ishte ndërtimi i një shkolle për një shoqëri që po ndërtonte të ardhmen e vet.

Në hapësirat e FSI-së nuk po përgatiteshin vetëm njerëz për shërbime fetare. Po ndërtohej një brez që do ta bartte dijen islame në gjuhën shqipe dhe brenda realitetit shqiptar të Kosovës; një brez që do të mund të shërbente në xhami, në institucione arsimore, në jetën akademike dhe në jetën publike të vendit.

Kjo ishte një prej ideve më të rëndësishme të Bojës: Mëvetësia nuk mbahet vetëm me deklarata; ajo mbahet me institucione dhe me njerëz të përgatitur për t’i drejtuar ato.

Jashtë Kosovës, një tjetër dimension i Rexhep Bojës po bëhej gjithnjë e më i rëndësishëm. Bota arabe ishte hapësira që ai e njihte. Gjuhën e njihte. Kodet kulturore i njihte. Dijetarët i njihte. Institucionet i njihte. Njerëzit e njihnin atë.

Por gjithë këtë kapital të krijuar gjatë viteve të rinisë nuk e trajtoi si pasuri personale.

Ai e ruajti, e zgjeroi dhe, sa herë Kosovës i duhej një derë në botën arabe, u përpoq ta hapte atë në emër të vendit të vet.

Në vitet kur vendi ishte i privuar nga përfaqësimi shtetëror dhe kur Kosova nuk kishte mundësi të fliste në mënyrë të drejtpërdrejtë në tryezat ndërkombëtare, Boja u bë një prej zërave që e çoi çështjen e Kosovës përtej kufijve.

Pozita e tij si udhëheqës i Bashkësisë Islame i jepte një hapësirë ndërkombëtare që pak shqiptarë të Kosovës e kishin në atë kohë. Ai mori pjesë në konferenca, simpoziume dhe takime të rëndësishme të botës islame dhe, sipas biografive të tij, në më shumë se 150 konferenca, simpoziume dhe takime ndërkombëtare.

Në tribunat ndërkombëtare ku flitej për fenë, paqen, të drejtat e njeriut dhe zhvillimet në botën islame, ai e kthente vëmendjen te Kosova. Fliste për represionin serb, për dhunën ndaj shqiptarëve, për mbylljen e institucioneve, për dëbimet, për shkeljen e të drejtave themelore dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe për të vendosur vetë për të ardhmen e tij.

Në mungesë të një shteti që të fliste në emër të Kosovës, ai u përpoq ta ambasadave, përdori tribunat. Në mungesë të diplomatëve, përdori autoritetin. Në mungesë të një shteti që të fliste në emër të Kosovës, ai u përpoq ta bënte zërin e Kosovës të dëgjohej.

Kjo kërkonte më shumë se një fjalim të mirë. Kërkonte marrëdhënie. Kërkonte besim.

Kërkonte njohje të gjuhës dhe të kulturës politike të vendeve ku flitej.

Dhe pikërisht këtu u shfaq në vlerën e plotë kapitali që Rexhep Boja kishte krijuar gjatë viteve të formimit në botën arabe. Ai kishte krijuar ura shumë kohë përpara se Kosovës t’i duheshin ato. Tani po vinte koha t’i përdorte për Kosovën.

Prandaj, në atë dekadë, Boja ishte ambasador pa ambasadë. Nuk kishte seli diplomatike, por kishte dyer ku mund të hynte. Nuk kishte akreditim shtetëror, por kishte autoritet personal. Nuk kishte një aparat diplomatik pas vetes, por kishte një rrjet njerëzor të ndërtuar me vite.

Dhe, mbi të gjitha, kishte një kauzë, Kosoven.

Në vitet e qëndresës, Rexhep Boja nuk qëndroi i veçuar në hapësirën e institucionit fetar.

Përkundrazi, pozita e tij në krye të Bashkësisë Islame e vendosi në një rreth të gjerë bashkëpunimi me burrat që po e udhëhiqnin, organizonin dhe mbanin gjallë jetën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.

Në kujtesën e bashkëkohësve, emri i tij shfaqet pranë shumë prej figurave më të rëndësishme të asaj kohe: Ibrahim Rugovës, Adem Demaçit, Fehmi Aganit, Rexhep Qosjes, Pajazit Nushit, Anton Çettës, Arbën Xhaferit, Hajrullah Goranit, Bujar Bukoshit, dhe shumë të tjerëve që, në fusha të ndryshme, i kishin vënë dijen, autoritetin dhe jetën e tyre në shërbim të çështjes kombëtare.

Dhe pranë këtyre emrave kishte edhe shumë të tjerë: profesorë, shkrimtarë, klerikë, veprimtarë, gazetarë, juristë, drejtues institucionesh dhe njerëz të thjeshtë të angazhuar në jetën publike.

Rexhep Boja kishte aftësinë e rrallë për të komunikuar me njerëz të profileve të ndryshme pa e humbur boshtin e vet. Kjo ishte një prej fuqive të tij. Ai mund të ulej me një akademik, me një klerik katolik, me një politikan, me një veprimtar të të drejtave të njeriut apo me një përfaqësues të botës arabe dhe të gjente gjuhën e përbashkët.

Sepse nuk e ndërtonte marrëdhënien mbi dallimin, por mbi qëllimin.

Në Kosovën e viteve ’90, kur secili institucion kishte nevojë për tjetrin, kjo aftësi kishte vlerë të jashtëzakonshme. Prandaj, kur flitet për të si prijës i Bashkësisë Islame, nuk duhet parë vetëm brenda mureve të institucionit. Ai ishte pjesë e një rrethi shumë më të gjerë të burrave të Kosovës që, secili në mënyrën e vet, po përpiqej ta mbante gjallë një popull dhe ta çonte atë drejt lirisë.

Rexhep Boja kishte institucionin, dijen, autoritetin fetar dhe, mbi të gjitha, urat me botën jashtë Kosovës.

Dhe ai i vuri të gjitha këto në të njëjtën anë: në anën e Kosovës.

Kur historia ndryshoi ritëm dhe rezistenca civile u përball me një represion që po shkonte drejt luftës së hapur, edhe roli i institucioneve shqiptare hyri në një fazë tjetër.

Kur Kosova hyri në luftë, Rexhep Boja nuk mbeti vetëm në anën e fjalës.

Ai u rreshtua qartë në mbështetje të luftës për lirinë e Kosovës dhe, nga pozita që mbante në krye të Bashkësisë Islame, dha orientimin e tij që institucionet dhe njerëzit përreth tij të gjendeshin në krah të përpjekjes çlirimtare.

Për të, lufta e UÇK-së ishte realiteti në të cilin po përcaktohej fati i Kosovës.

Prandaj mbështetja duhej të ishte konkrete. Ajo u shtri në ndihmën për njerëzit që po luftonin, në përkrahjen e familjeve të goditura nga lufta dhe në orientimin e ndihmave drejt zonave ku nevoja ishte më e madhe.

Në këtë mënyrë, Rexhep Boja vuri në shërbim të luftës jo vetëm autoritetin e tij si prijës fetar, por edhe rrjetin institucional dhe marrëdhëniet që kishte ndërtuar ndër vite.

Por krahas kësaj mbështetjeje, Boja kishte të qartë edhe një përgjegjësi tjetër: ta ruante luftën e Kosovës nga çdo përpjekje për t’i ndryshuar karakterin dhe kuptimin.

Ai nuk lejoi që përkatësia e shumicës së shqiptarëve të Kosovës ndaj besimit islam të përdorej për ta paraqitur luftën çlirimtare si luftë fetare.

Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur propaganda serbe përpiqej ta paraqiste UÇK-në dhe luftën e shqiptarëve si konflikt ndërmjet feve, duke kërkuar ta largonte vëmendjen nga thelbi i saj: represioni, pushtimi dhe e drejta e popullit të Kosovës për liri. Boja e kuptonte mirë këtë rrezik. Për këtë arsye, edhe në marrëdhëniet me botën islame, ai e paraqiste çështjen e Kosovës mbi bazën e të drejtave të një populli dhe të luftës së tij për liri, jo si përplasje ndërmjet Islamit dhe një feje tjetër.

Mbështetja që kërkohej nga jashtë duhej t’i shërbente Kosovës dhe popullit të saj, pa i dhënë askujt mundësi që luftën ta interpretonte si konflikt religjioz. Në këtë kuptim, ai luajti edhe rolin e një ndërmjetësi të kujdesshëm: e lidhte Kosovën me botën islame, por njëkohësisht kujdesej që kjo botë ta kuptonte drejt Kosovën.

Në një front luftëtarët e UÇK-së luftonin për lirinë e vendit; në një front tjetër, Rexhep Boja përdorte autoritetin, lidhjet dhe mundësitë që kishte për ta mbështetur atë luftë dhe për ta mbrojtur kuptimin e saj. Për të, Kosova nuk ishte një çështje që duhej vetëm të përmendej.

Një prej dimensioneve më të rëndësishme të veprimtarisë së Rexhep Bojës ishte marrëdhënia e tij me klerin katolik shqiptar dhe fryma e harmonisë ndërfetare që e shoqëroi gjatë gjithë veprimtarisë së tij publike. Në Kosovën e viteve ’90, kur çdo institucion shqiptar përballej me trysninë e regjimit serb dhe kur propaganda përpiqej vazhdimisht ta paraqiste çështjen e Kosovës si konflikt fetar, ky qëndrim merrte një peshë të veçantë. Boja e kuptonte se shqiptarët e Kosovës nuk mund të lejonin që lufta e tyre për liri të tjetërsohej në një përplasje ndërmjet myslimanëve dhe të Krishterëve.

Për të, kjo ishte mbi të gjitha një çështje kombëtare dhe njerëzore: një popull po kërkonte lirinë, ndërsa institucionet e tij duhej të qëndronin të bashkuara përballë dhunës dhe padrejtësisë. Në këtë frymë duhet parë edhe afërsia e tij me klerin katolik të Kosovës dhe me figura që në atë kohë kishin autoritet të madh moral në shoqërinë shqiptare.

Boja ndante një bindje themelore: Besimi duhej të shërbente për ta forcuar moralin, dinjitetin dhe përgjegjësinë ndaj njeriut dhe atdheut.

Boja e mbajti qartë vijën ndarëse ndërmjet besimit fetar dhe karakterit të luftës për çlirimin e Kosovës. Përkrahja e tij për luftën nuk u paraqit si përplasje fetare dhe ai nuk lejoi që autoriteti i Bashkësisë Islame të përdorej për ta ngushtuar kuptimin e kauzës së Kosovës vetëm në një komunitet fetar. Përkundrazi, mesazhi ishte i qartë:

Kosova ishte e të gjithëve. Në luftën për liri kishte shqiptarë të besimeve të ndryshme.

Kjo qasje kishte rëndësi edhe për mënyrën se si Kosova duhej të kuptohej jashtë saj. Boja, i cili për vite kishte ndërtuar lidhje të fuqishme me botën islame, e dinte se propaganda serbe do të përpiqej ta përdorte faktorin fetar për ta njollosur kauzën shqiptare. Prandaj, ai kishte interes të drejtpërdrejtë që bota islame ta kuptonte se shqiptarët e Kosovës nuk po zhvillonin një luftë kundër serbëve si të krishterë, por po luftonin kundër një politike shtypëse dhe për të drejtën e tyre për liri.

Në këtë kuptim, marrëdhëniet e mira me klerin katolik nuk ishin një episod anësor në veprimtarinë e tij. Ato ishin pjesë e një koncepti më të gjerë të bashkimit shqiptar.

Dhe pikërisht në një periudhë kur shqiptarëve u duhej më shumë se kurrë të dëshmonin unitetin e tyre, Boja ishte i vetëdijshëm se një prej përgjigjeve më të fuqishme ndaj propagandës serbe ishte vetë sjellja e shqiptarëve: myslimanë e katolikë, prijës fetarë e intelektualë, politikanë e veprimtarë, të qëndronin bashkë në mbrojtje të Kosovës.

Në këtë frymë mund të kuptohet edhe komunikimi i tij me figura të tjera të klerit katolik.

Në ditët kur propaganda kërkonte të ngrinte mure mes shqiptarëve, prijësit e tyre fetarë dhe kombëtarë ditën të ndërtonin ura.

Dhe Rexhep Boja ishte një prej atyre që këto ura i ndërtoi jo vetëm brenda Kosovës, por edhe ndërmjet Kosovës dhe botës ku kishte fituar dijen, miqësitë dhe ndikimin e tij.

Me përfundimin e luftës, për Rexhep Bojën nuk përfundoi misioni. Ndryshoi vetëm natyra e tij. Kosova kishte dalë nga lufta e shkatërruar. Mijëra familje kishin humbur shtëpitë, shumë institucione ishin dëmtuar dhe vendi përballej me plagë që nuk mund të shëroheshin vetëm me përfundimin e luftimeve. Në atë moment, liria duhej të kthehej në shtetësi, në institucione, në arsim, në ekonomi, në jetë normale dhe në një shoqëri që duhej të mësonte të ecte përsëri.

Edhe në këtë periudhë, Boja e pa rolin e vet përtej kornizës së një prijësi fetar.

Për të, përgjegjësia pas luftës ishte të ndihmohej rindërtimi i vendit dhe forcimi i institucioneve të tij, duke ruajtur njëkohësisht atë që Kosova kishte trashëguar ndër breza: tolerancën, bashkëjetesën dhe traditën e saj shqiptare. Ai e kuptonte se një vend i sapodalë nga lufta ishte një vend i brishtë. Kosova kishte nevojë për miq, për ndihmë dhe për mbështetje ndërkombëtare. Por ndihma nuk duhej të shndërrohej në varësi dhe as në mundësi që mbi një shoqëri të lodhur nga lufta të importoheshin modele që nuk i përkisnin traditës dhe realitetit të saj. Këtu qëndronte një prej përgjegjësive më delikate të periudhës pasluftës: Të hapej Kosova ndaj botës, pa e humbur vetveten.

Bota islame ishte një prej hapësirave ku Boja kishte ndërtuar gjatë viteve lidhje të fuqishme. Shumë prej atyre miqësive dhe kontakteve mund të shërbenin për ta ndihmuar Kosovën në rindërtimin e saj.

Por ai e dinte qe Kosova kishte nevojë të forcohej. Kishte nevojë për dije, jo për dogmatizëm. Kishte nevojë për institucione, jo për varësi të reja. Dhe kishte nevojë për miq nga bota, por pa lejuar që miqësia të kthehej në ndërhyrje mbi mënyrën se si duhej të jetonte shoqëria e saj.

Përvoja e gjatë e Bojës në botën arabe dhe islame i jepte një avantazh të veçantë. Ai e njihte nga afër atë botë: institucionet, dijetarët, shoqëritë dhe mënyrat e ndryshme të të menduarit brenda saj.

Pikërisht për këtë arsye mund të dallonte më lehtë mes një ndihme të sinqertë dhe një ndikimi që mund të sillte me vete interesa apo rryma të papërshtatshme për Kosovën.

Boja vazhdoi ta shihte atë si një hapësirë të rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi. Por marrëdhënia duhej të ndërtohej mbi respektin dhe interesin e ndërsjellë, me Kosovën si subjekt dhe jo si hapësirë ku të tjerët do të përcaktonin drejtimin e saj.

Në këtë periudhë, edhe Bashkësia Islame duhej të gjente vendin e saj në Kosovën e re. Ajo duhej të kontribuonte në rindërtimin moral e shoqëror të vendit, në edukimin e brezave dhe në forcimin e vlerave të bashkëjetesës, pa u shndërruar në terren të përplasjeve ideologjike që vinin nga jashtë.

Për Bojën, besimi islam në Kosovë kishte rrënjë të thella historike dhe shqiptare. Ai nuk kishte nevojë të importohej bashkë me modele të huaja. Kishte nevojë të edukohej, të thellohej dhe të përcillej përmes dijes, kulturës dhe traditës vendore.

Kjo ishte edhe arsyeja pse pas luftës ai i kushtoi rëndësi të veçantë arsimit fetar.

Një Kosovë e re kishte nevojë për kuadro të formuara seriozisht: njerëz që e njihnin fenë, por njëkohësisht e njihnin edhe shoqërinë ku jetonin; që e kuptonin Islamin, por edhe historinë, kulturën dhe gjuhën shqiptare; që mund të ishin besimtarë të devotshëm dhe njëkohësisht qytetarë të përgjegjshëm të një Kosove demokratike.

Në këtë mënyrë, rindërtimi nuk shihej vetëm si rindërtim i mureve të rrënuara nga lufta.

Ishte edhe rindërtim i njeriut dhe i institucioneve. Liria, për të, nuk mbaronte me largimin e ushtrisë serbe. Liria duhej të ruhej edhe duke ditur se kujt i hapej dera, çfarë merrej nga jashtë dhe çfarë duhej mbrojtur nga brenda.

Dhe pastaj erdhi një kapitull që, në njëfarë mënyre, e mbylli rrethin e jetës së tij.

Rexhep Boja kishte dalë nga Kosova si një i ri që kërkonte dije. Kishte kaluar nëpër Damask e Medinë. Ishte kthyer në atdhe me formimin e një dijetari dhe pedagogu.

Kishte marrë mbi vete drejtimin e institucioneve islame në vitet më të vështira të represionit. Ishte pjesë ndërtimin e institucioneve te Kosovës. Kishte çuar zërin e Kosovës në botën arabe atëherë kur Kosova ende nuk kishte ambasada e përfaqësi diplomatike. Tani, pas shpalljes së pavarësisë, ishte koha që ajo përvojë e gjatë të vihej në shërbim të shtetit të Kosovës në një formë tjetër. Dhe ishte pikërisht Arabia Saudite ajo hapësirë ku rruga e tij e jetës do të takohej me nevojën e re diplomatike të Kosovës.

Rexhep Boja nuk shkoi në Riad si një diplomat që po niste nga e para. Ai kthehej në një vend që e njihte prej dekadash. Atje kishte kaluar vitet e rinisë, kishte studiuar, kishte doktoruar dhe kishte ndërtuar miqësi me figura të rëndësishme të shoqërisë arabe.

Gjuhën arabe nuk e njihte vetëm në nivel akademik. E kishte përvetësuar gjatë viteve të gjata të jetesës, studimit dhe punës në botën arabe. E njihte gjuhën, por njihte edhe nuancat kulturore e shoqërore që fshihen pas saj. Kjo ishte një përparësi e jashtëzakonshme në përfaqësimin diplomatik të Kosovës. Në takimet me zyrtarë, dijetarë, akademikë dhe personalitete të botës arabe, Boja nuk kishte nevojë për një ndërmjetës gjuhësor. Ai fliste drejtpërdrejt me bashkëbiseduesit e tij, në gjuhën e tyre, me sigurinë e një njeriu që ua njihte kulturën.

Kjo i jepte komunikimit të tij një natyrshmëri dhe afërsi që nuk mund të krijohen vetëm përmes protokollit diplomatik.

Kështu, një njeri që për vite të tëra kishte folur për Kosovën në konferenca islame e ndërkombëtare, tani po fliste për të nga një përfaqësi zyrtare e Republikës së Kosovës.

Por ndryshimi ishte vetëm në pozitë, jo në mision. Edhe më parë ai kishte përdorur çdo hapësirë që kishte për ta bërë të njohur çështjen e Kosovës. Në vitet e represionit kishte shpjeguar para botës arabe dhunën dhe padrejtësitë që po përjetonte populli shqiptar. Gjatë luftës kishte kërkuar mbështetje për lirinë e Kosovës. Pas luftës, tani kishte detyrë ta përfaqësonte shtetin që ishte krijuar nga ajo përpjekje.

Në Riad, puna e tij mori një dimension të ri: nga ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës te forcimi i marrëdhënieve të shtetit të Kosovës me botën arabe dhe myslimane.

Ai kishte një përparësi që pak diplomatë mund ta kishin në atë kohë:

nuk po përpiqej të ndërtonte ura të reja mbi një terren të panjohur. Po përdorte urat që kishte ndërtuar shumë më herët. Prandaj, emri i Rexhep Bojës në botën arabe nuk ishte thjesht emri i një ambasadori. Ishte emri i një njeriu që kishte qenë aty shumë kohë përpara se të mbante një post diplomatik. Diplomacia e tij nuk mbështetej vetëm në protokollin zyrtar, por edhe në besimin personal që kishte ndërtuar gjatë dekadave. Kontributi i tij në këtë periudhë duhet parë brenda përpjekjes së përgjithshme diplomatike të Republikës së Kosovës për të siguruar njohje dhe për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar.

Nuk do të ishte e drejtë që çdo njohje e Kosovës t’i atribuohej një individi të vetëm, sepse njohjet ndërkombëtare janë rezultat i një pune të gjerë dhe të përbashkët shtetërore e diplomatike. Por, po aq e padrejtë do të ishte të anashkalohej kontributi i atyre njerëzve që, falë përvojës, njohjes së gjuhës, marrëdhënieve të ndërtuara ndër vite dhe kredibilitetit të tyre, arritën të hapnin dyer dhe të ndikonin drejtpërdrejt në sigurimin e njohjeve për Kosovën. Rexhep Boja ishte një prej tyre. Angazhimi i tij ishte veçanërisht i rëndësishëm në raport me botën islame dhe vendet arabe, ku lidhjet dhe besueshmëria që kishte krijuar ndër vite i mundësuan të kontribuonte në procesin që Kosovës i solli dhjetëra njohje ndërkombëtare shtetit qe po përfaqësonte, atij qe i kishte dedikuar një jete lufte për te.

Në veçanti, në botën arabe dhe myslimane, ai përfaqësonte një kombinim të rrallë: ishte një dijetar i formuar në institucionet islame të rajonit, një shqiptar nga Kosova që e njihte nga afër historinë e represionit, një prijës institucional që kishte kaluar nëpër vitet e luftës, një njohës i shkëlqyer i gjuhës arabe dhe një përfaqësues i shtetit të ri të Kosovës.

Kjo e bënte fjalën e tij më të dëgjueshme. Ai nuk e paraqiste Kosovën vetëm si një çështje politike. E shpjegonte edhe përmes historisë, kulturës, përvojës së popullit të saj dhe lidhjeve që kishte ndërtuar me botën arabe.

Pikërisht këtu qëndronte një pjesë e rëndësishme e veçantisë së tij:

ai dinte ta përkthente Kosovën në gjuhën politike, kulturore dhe shoqërore të një bote që e njihte prej afër. Në këtë mënyrë, puna e tij në Riad nuk ishte një kapitull i shkëputur nga jeta e mëparshme.

Studenti që kishte mësuar gjuhën dhe kulturën e asaj bote, tani e përdorte atë njohje për të ndërtuar marrëdhënie për Kosovën.

Dijetari që dikur kishte folur për Kosovën në konferenca ndërkombëtare, tani e kishte Kosovën pas vetes si shtet.

Dhe njeriu që në vitet e luftës kishte kërkuar mbështetje për lirinë e vendit, tani kishte për detyrë të siguronte miqësi, njohje dhe marrëdhënie të qëndrueshme për shtetin e lirë.

Kështu mbyllej një rreth i jashtëzakonshëm.

Në këtë kuptim, ambasadorllëku i tij nuk ishte fillimi i një kapitulli të ri.

Ishte vazhdimi diplomatik i një misioni që kishte nisur shumë më herët.

Sepse për Rexhep Bojën, përfaqësimi i Kosovës nuk kishte filluar me dekretin e ambasadorit. Kishte filluar shumë vite më parë, atëherë kur, në audiumet e Medinës dhe në sallat e konferencave të botës islame, një i ri nga Kosova kishte vendosur se dijen që po merrte duhej një ditë t’ia kthente vendit të vet.

Pesë vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Rexhep Boja nuk kujtohet vetëm për postet që mbajti.

Postet kalojnë. Institucionet ndryshojnë. Dekretet harrohen. Konferencat mbarojnë.

Por mbetet mënyra se si një njeri e përdori jetën e vet.

Dhe Rexhep Boja e përdori jetën për të ndërtuar ura.

Urën mes fesë dhe përgjegjësisë kombëtare.

Urën mes besimit dhe harmonisë ndërfetare.

Ai e kuptoi se dija që nuk i shërben vendit mbetet vetëm dije personale. E kuptoi se institucioni që nuk i përgjigjet kohës së vet humbet kuptimin. E kuptoi se një popull i vogël, në një kohë të vështirë, ka nevojë për njerëz që dinë të punojnë për te.

Jeta e tij, parë në tërësi, duket si një vijë e vetme.

Nga dija te shërbimi.Nga shërbimi te institucioni.Nga institucioni te qëndresa.Nga qëndresa te diplomacia.Dhe nga diplomacia përsëri te Kosova.

Kjo është arsyeja pse pesëvjetori i ndarjes nga jeta të Dr. Rexhep Bojës nuk është vetëm një datë përkujtimore.

Është një moment për të kujtuar një mënyrë të të jetuarit.

Një mënyrë ku dija nuk ishte zbukurim, por përgjegjësi.

Ku posti nuk ishte privilegj, por detyrë.

Ku atdhedashuria nuk ishte fjalë, por veprim.

Dhe ku Kosova nuk ishte vetëm vendlindje.

Dr. Rexhep Boja e mori atë amanet me vete që kur u largua nga Kosova si student. Ai nuk u largua kurrë nga Kosova, edhe atëherë kur ishte larg saj.

Sepse Kosova, për Rexhep Bojën, nuk ishte një vend ku kthehesh vetëm fizikisht.

Ishte një vend që duhej ta mbaje me vete.

Dhe në çdo mundësi që kishte për t’i shërbyer.

Pesë vjet pas ikjes së tij, ajo që mbetet nuk është vetëm kujtimi i një njeriu.

Një trashëgimi e dijes, institucionit, urave, qëndresës dhe shërbimit.

Dhe mbi të gjitha, mbetet një pyetje që çdo brez duhet t’ia bëjë vetes:

Çfarë bëjmë ne me dijen, me mundësitë dhe me jetën që na është dhënë?

Rexhep Boja e dha përgjigjen e tij me një jetë të tërë.

Në shërbim të Zotit.Në shërbim të dijes.Në shërbim të njeriut.Dhe në shërbim të Kosovës.

Kujtimi për të qoftë i përhershëm. /Telegrafi/