Biznesi i modës së Victoria Beckham ka shënuar rritje të shitjeve pas ekspozimit që morën veshjet e saj në dokumentarin e publikuar në Netflix, por kompania ende rezulton me humbje pas taksave.
Llogaritë për vitin deri në dhjetor 2025 tregojnë se promovimi i veshjeve të saj në dokumentar ndikoi në shitje.
Veçanërisht, shitjet e xhinseve u rritën me 48 për qind, ndërsa ato të veshjeve të trikotazhit me 35 për qind, shkruan DailyMail.

Në dokumentar, Victoria kishte veshur një bluzë “Tilly” prej 110 funte (rreth 128 euro) dhe xhinset “Alina” prej 395 funte (rreth 460 euro).
Kompania holding e Victoria Beckham, e cila përfshin edhe biznesin e bukurisë, regjistroi një fitim operativ prej 7.3 milionë funte (rreth 8.5 milionë euro), krahasuar me 1.5 milionë funte (rreth 1.7 milionë euro) një vit më parë.
Vetë biznesi i modës pati fitim operativ prej 1.5 milionë funte (rreth 1.7 milionë euro), por pas taksave rezultoi me humbje prej 1.7 milionë funte (rreth 2 milionë euro).
Biznesi i modës ka gjithashtu kosto të larta shitjeje, që arritën në 17.5 milionë funte (rreth 20.4 milionë euro), ndërsa kompania kishte detyrime prej 59 milionë funte (rreth 68.7 milionë euro) ndaj kreditorëve.
Ndërkohë, Victoria Beckham Holdings, duke përfshirë edhe markën e bukurisë, regjistroi fitim prej 2.4 milionë funte (rreth 2.8 milionë euro) pas taksave.
Në dokumentarin e saj, Victoria foli edhe për vështirësitë financiare të markës, duke kujtuar se biznesi ishte përballur me një periudhë shumë të vështirë.
Ajo tha se kishte qenë pranë humbjes së gjithçkaje, ndërsa bashkëshorti David Beckham e kishte mbështetur financiarisht në disa raste që nga themelimi i markës në vitin 2008.
Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, Victoria tha se pas 20 vitesh marka e saj tashmë nuk shihet më thjesht si një markë e një personazhi të famshëm. /Telegrafi/





