Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në bashkëpunim me Shoqatën Bullgare të Shpellave (Bulgarian Caving Society), ka zhvilluar një ekspeditë hulumtuese speleologjike në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Gjatë ekspeditës janë eksploruar dhe hartografuar disa shpella, përfshirë Shpellën e Drelajve, Shpellën e Flamurit ose Shpellën e Stërqokës në Hajlë, me thellësi prej 45 metrash, Shpellat Binjake në Bajshë, me thellësi 35 metra, si dhe Shpellën në Rrasen e Zogut, e cila arrin një thellësi të eksploruar prej 200 metrash.

Sipas Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Shpella në Rrasen e Zogut, e cila ndodhet në një lartësi mbidetare prej rreth 1,900 metrash, është shpella më e thellë e eksploruar deri më tani në Kosovë.
Deri tani, speleologët kanë eksploruar dhe hartografuar 200 metra të kësaj shpelle, ndërsa vlerësohet se ajo mund të arrijë deri në 500 metra thellësi.
Hulumtimet speleologjike në këtë shpellë pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm, me synim dokumentimin e mëtejshëm të strukturës dhe shtrirjes së saj./Telegrafi/





