Veturat elektrike shiten “për hekur” pas vetëm 3 vitesh

Teknologji

Veturat elektrike janë bërë pothuajse “material i konsumueshëm” në Kinë, ku një luftë e ashpër çmimesh po shkatërron tregun. Xing Zhou nga kompania konsulente AlixPartners shpjegon se veturat elektrike po ndjekin një cikël të ngjashëm me telefonat inteligjentë. Shumë modele kineze konsiderohen të vjetruara vetëm pak vite pas daljes në rrugë, gjë që e bën […]

Madhësia e shkronjave

Veturat elektrike janë bërë pothuajse “material i konsumueshëm” në Kinë, ku një luftë e ashpër çmimesh po shkatërron tregun. Xing Zhou nga kompania konsulente AlixPartners shpjegon se veturat elektrike po ndjekin një cikël të ngjashëm me telefonat inteligjentë.

Shumë modele kineze konsiderohen të vjetruara vetëm pak vite pas daljes në rrugë, gjë që e bën tregun e automobilave të përdorura shumë pak tërheqës për blerësit lokalë, sipas një analisti kinez për Autobild. Çmimet e ulëta të makinave të reja e bëjnë pothuajse të pakuptimtë shitjen e atyre të përdorura.

Ndërsa prodhuesit evropianë zakonisht shpenzojnë 4–5 vite për zhvillimin e një modeli, në Kinë kjo bëhet në rreth dy vite. Çdo vit prezantohen rreth 140 modele të reja, duke bërë që makinat trevjeçare të konsiderohen tashmë të vjetra dhe të dalin nga përdorimi shumë shpejt.

Ky ritëm ka krijuar “varreza makinash” që dalin nga tregu pas vetëm 3–5 vitesh, duke ushtruar presion të madh mbi mjedisin dhe sistemet e riciklimit. Për më tepër, konkurrenca e mbi 140 markave ka ulur ndjeshëm çmimet e tregut.

Mes viteve 2023 dhe 2025, çmimet e makinave elektrike kineze ranë mesatarisht me rreth 23%. Një shembull është BYD Seagull, që në Kinë kushton rreth 6900 euro. Shumë prodhues llogarisin që automjetet të përdoren vetëm për disa vite para se të çmontohen dhe riciklohen si pajisjet elektronike.

Megjithatë, sistemi i riciklimit nuk po arrin të ndjekë këtë ritëm, duke lënë parkingje të mëdha plot me makina të braktisura. Bateritë e tyre kanë vlerë për shkak të lëndëve të rralla që përmbajnë, por menaxhimi i tyre mbetet problematik.

Kjo situatë ekstreme ka çuar edhe në falimentimin e disa markave kineze të veturave elektrike, duke lënë punonjës pa paga dhe vende pune. Ndërkohë, kompanitë kineze po përpiqen me çdo kusht të depërtojnë në tregun evropian, ku fitimet janë më të larta. /Telegrafi/