Në prag të ndeshjes së Barcelonës ndaj Deportivo Alaves, presidenti i përkohshëm i klubit katalanas, Rafa Yuste, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, lidhur me rastin Negreira.
Sipas raportimeve, Perez e kishte akuzuar Barcelonën se ka përfituar nga favorizime të gjtqtarëve dhe kishte pretenduar se Real Madridi është privuar nga shtatë tituj të La Ligas për shkak të skandalit.
Ai po ashtu thuhet se ka zbuluar se klubi madrilen po përgatit një dosje për UEFA-n, ku do të paraqiten pretendime për njëanshmëri në gjykim në favor të Barçës.
Yuste i quajti deklaratat e Perezit “patetike” dhe “të mbushura me gënjeshtra”, duke shtuar se Barcelona po shqyrton edhe mundësinë e ndjekjes ligjore për shkak të këtyre komenteve.
“Ky manovrim i Florentino Perezit, për të mbuluar një katastrofë sportive që po zgjat prej dy vitesh, nuk do ta çojë askund”, deklaroi Yuste, duke e akuzuar kreun e Realit se po tenton të largojë vëmendjen nga vështirësitë e Madridit në fushë.
Në mbrojtje të klubit të tij, Yuste theksoi se dominimi i fundit i Barcelonës në kampionat nën drejtimin e Hansi Flick ka ardhur si rezultat i meritës sportive dhe rritjes së talenteve nga akademia La Masia.
“Është e kotë të flasim sërish për Negreira, kur ne kemi fituar dy liga me një projekt ku ka lojtarë nga La Masia dhe të tjerë që kanë ardhur nga diku tjetër”, u shpreh ai, duke nënvizuar edhe epërsinë e madhe në renditje.
“Po e fitojmë me 14 pikë diferencë dhe kjo është thjesht një shashkë për të justifikuar menaxhimin e dobët”.
Yuste e mohoi kategorikisht pretendimin e Perezit se titujt e La Ligas janë “vjedhur”.
“Shtatë tituj të vjedhur? Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Objektivisht, nuk është e vërtetë”, insistoi ai.
Në fund, zyrtari i Barcelonës dha edhe një mesazh me ironi lidhur me rikthimin e presidentit Joan Laporta më 1 korrik.
“Isha duke e parë më pas, jo drejtpërdrejt. Nuk më bëri as të qesh e as të qaj… Më erdhi keq për të”, përfundoi Yuste. /Telegrafi/






