Një studim i ri tregon rezultate jashtëzakonisht premtuese te pacientët me kancer të kokës dhe qafës: në 90 për qind të rasteve tumori u zvogëlua për më shumë se gjysmën pas trajtimit fillestar
Përdorimi i imunokimioterapisë para ndërhyrjes kirurgjikale mund të zvogëlojë ndjeshëm tumoret e kokës dhe qafës, duke u mundësuar mjekëve të kryejnë operacione shumë më pak të gjera. Karcinoma skuamoqelizore lokalisht e avancuar e kokës dhe qafës përbën më shumë se 60 për qind të të gjitha rasteve të diagnostikuara të këtyre tumoreve malinje.
Metodat tradicionale të trajtimit përfshijnë ose një operacion radikal, me heqjen e një pjese të madhe të indeve përreth, gjë që shpesh çon në dëmtim të rëndë të pamjes së fytyrës dhe humbje të funksioneve, ose kimioterapi dhe radioterapi agresive, të cilat mund të lënë pasoja të rënda kronike, si pamundësia për të gëlltitur dhe varësia nga sonda e ushqyerjes.
Qasje e re: Fillimisht zvogëlohet tumori me ilaçe, pastaj kryhet operacioni

Megjithatë, përdorimi i imunokimioterapisë para ndërhyrjes kirurgjikale është një qasje që mundëson ruajtjen e funksioneve jetësore të të folurit dhe gëlltitjes, pa ulur shkallën e mbijetesës së pacientëve, ka treguar një studim i fundit i publikuar në revistën prestigjioze Clinical Cancer Research.
Studimi i ri, i udhëhequr nga dr. Kunyu Yang nga Union Hospital Cancer Center në Tongji Medical College dhe Huazhong University of Science and Technology në Kinë, testoi një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e trajtimit: fillimisht zvogëlimi i tumorit me ilaçe dhe vetëm më pas kryerja e operacionit, transmeton Telegrafi.
Çfarë tregoi testimi i strategjisë së re te pacientët me kancer të avancuar të kokës dhe qafës
Shkencëtarët e testuan strategjinë e re te pacientët me një formë të rëndë, HPV-negative, të kancerit të kokës dhe qafës, duke përdorur tri cikle imunokimioterapie neoadjuvante (ICT) para çdo ndërhyrjeje kirurgjikale:
Biomarkeri për parashikimin e përgjigjes ndaj trajtimit
Studimi përcaktoi gjithashtu se matja e nivelit të proteinës PD-L1 përmes pikëzimit CPS mund të parashikojë me saktësi se cilët pacientë do të reagojnë më mirë ndaj imunokimioterapisë fillestare.
Pacientët me nivel të lartë të këtij biomarkeri patën zhdukje të plotë të tumorit në 65 për qind të rasteve pas trajtimit me ilaçe.
Megjithëse autorët theksojnë se nevojiten studime klinike më të mëdha dhe të randomizuara për të ndryshuar standardin zyrtar të trajtimit, këto rezultate ofrojnë dëshmi të forta se në të ardhmen trajtimi i kancerit të kokës dhe qafës mund të përshtatet sipas përgjigjes individuale të çdo pacienti. Kjo qasje mund të ndihmojë në ruajtjen e indeve dhe zërit, si dhe në sigurimin e një cilësie më të mirë dhe më dinjitoze të jetës. /Telegrafi/




