Sulmuesi kosovar, Shkëlqim Vladi, ka realizuar një gol spektakolar në ndeshjen mes Aaraut dhe Kriensit, duke shënuar një prej golave më të bukur të këtij fillimi të edicionit në kategorinë e dytë të futbollit zviceran.
Aarau dhe Kriens u ndanë në barazim 2-2 të shtunën, në kuadër të xhiros së tetë, ndërsa Vladi ishte protagonist i rëndësishëm në rikthimin e skuadrës së tij.
25-vjeçari e nisi ndeshjen nga banka rezervë dhe u inkuadrua në lojë në minutën e 65-të.
Vetëm nëntë minuta më vonë, ai mori vëmendjen me një realizim spektakolar.
Vladi goditi topin në mënyrë akrobatike me “gërshërë”, duke e dërguar atë në rrjetë dhe duke i dhënë Aaraut golin e barazimit 2-2.
Para realizimit të tij, Kriensi kishte kaluar dy herë në epërsi, me Albin Krasniqin që ishte autor i të dy golave për skuadrën mysafire.
Në anën tjetër, Vladi u tregua vendimtar për Aaraun, duke shënuar një gol që pritet të jetë ndër më të veçantët e këtij edicioni në futbollin zviceran.
Sulmuesi 25-vjeçar vazhdon kështu të jetë një nga emrat e rëndësishëm të Aaraut, ndërsa supergoli i tij ndaj Kriensit i dha skuadrës një pikë të vlefshme në xhiron e tetë. /Telegrafi/






