Një homazh i veçantë për Parashqevi Simakun është sjellë në skenën e New York Fashion Week, përmes prezantimit të koleksionit “REMEMBER AW27” të Poet-Lab.
Në finalen e shfaqjes, Elton Ilirjani u shfaq në pasarelë me një fustan rozë, ndërsa në sfond u dëgjua kënga “E duam lumturinë”, duke sjellë një moment me simbolikë të veçantë shqiptare.

Koleksioni i krijuar nga Giuseppe Iacofano dhe i prezantuar në kuadër të Global Fashion Collective ishte ndërtuar rreth temës së kujtesës, duke trajtuar historitë, imazhet dhe figurat që vazhdojnë të mbeten të gjalla ndër vite.
Në këtë koncept u përfshi edhe figura e Parashqevi Simakut, pasi Elton Ilirjani i kishte treguar stilistit për këngëtaren dhe lidhjen e veçantë që ajo vazhdon të ketë me publikun shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë.
Bashkëpunimi mes Ilirjanit dhe Iacofanos kishte nisur më herët, gjatë një vizite të stilistit në Shqipëri, ku të dy realizuan disa fotosesione në lokacione ikonike të vendit. Këtë herë, kjo lidhje u zhvendos në një prej skenave më të rëndësishme të modës, në New York.
Referencat për Simakun ishin të pranishme që në fillim të prezantimit. Në shfaqje u përdorën dy fjali nga një intervistë e këngëtares gjatë viteve të 90-ta, ndërsa një fotografi e saj duke performuar në vitet e 80-ta ishte pjesë e moodboard-it të koleksionit.
Momenti kulmor erdhi në finale, kur Elton Ilirjani doli në pasarelë me fustanin rozë, ndërsa u dëgjua një fragment nga “E duam lumturinë”, kënga me të cilën Parashqevi Simaku fitoi Festivalin e Këngës. Homazhi nuk synoi të rikrijonte të kaluarën, por ta sillte atë në një formë të re përmes modës, kujtesës dhe simbolikës.
Në mesin e të ftuarve ishte edhe Fern Mallis, themeluesja e New York Fashion Week dhe një prej figurave të njohura të industrisë amerikane të modës, e cila ndoqi prezantimin së bashku me një drejtues të CFDA-së. Kështu, “REMEMBER AW27” solli një pjesë të kujtesës shqiptare në një prej skenave më të njohura të modës botërore. /Telegrafi/





