Donald Trump ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur për shkak të vendimeve të tij dhe se Shtetet e Bashkuara kanë, sipas tij, kontroll të plotë mbi këtë pikë kyçe detare.
Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan pohoi se ngushtica do të hapet vetëm kur të arrihet një marrëveshje.
“Do ta hapim ngushticën. Tani për tani e kemi të mbyllur. Ne kemi kontroll të plotë mbi ngushticën”, deklaroi 79-vjeçari.
Sipas tij, palët e tjera do ta kishin hapur tashmë këtë korridor detar, por ai pretendon se ka ndikuar drejtpërdrejt në mbajtjen e tij të mbyllur.
“Ata do ta kishin hapur para tre ditësh. Erdhën tek ne dhe thanë ‘do të pajtohemi ta hapim ngushticën’,” shtoi Trump.
Ai po ashtu deklaroi se, nëse ngushtica do të hapej menjëherë, Irani do të gjeneronte rreth 500 milionë dollarë në ditë nga tregtia përmes saj.
“Unë jam ai që e kam mbajtur të mbyllur”, tha ai, duke shtuar se hapja e saj do të ndodhë vetëm pas një marrëveshjeje.
Trump gjithashtu pranoi se situata mund të ndikojë përkohësisht në çmimet e karburanteve në SHBA, duke thënë se amerikanët mund të paguajnë më shumë “për një periudhë të shkurtër”, nëse procesi i marrëveshjes zgjat. /Telegrafi/






